E mërkurë, 18 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Rritja e çmimeve nuk ndalet, INSTAT: Inflacioni në muajin tetor arriti në 3.5%

Nga muaji në muaj, ritmi i rritjes së çmimeve po përshpejtohet, duke rënduar gjithnjë e më shumë xhepat e qytetarëve.

Sipas Institutit të Statistikave, në tetor çmimet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke regjistruar nivelin më të lartë të inflacionit në tre vitet e fundit.

 “Rritjen e çmimeve gjatë muajit tetor e kanë ndikuar kryesisht ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat janë shtrenjtuar me 4.4%. Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe çmimet për argëtimin, sportin dhe kulturën, si dhe transporti. Ndërkohë, më të shtrenjta janë bërë edhe shërbimet në restorante, arsimi dhe kujdesi shëndetësor”, thuhet në njoftimin e INSTAT.

Në krahasim me vendet e rajonit dhe mesataren e Bashkimit Europian, rritja e çmimeve në Shqipëri ka qenë më e moderuar. Një ndër faktorët që ka ndikuar në zbutjen e inflacionit është edhe forcimi i lekut kundrejt valutave të huaja, duke ulur koston e produkteve të importuara.

Reklamë

“Kosova kryeson me inflacionin më të lartë, prej 7.1%, e ndjekur nga Rumania me 7% dhe Lituania me 6.1%. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Bullgaria regjistruan një normë prej 5.9%, ndërsa Greqia 5.7%. Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria rezulton me një nivel më të ulët inflacioni. Në Serbi, rritja e çmimeve arriti në 4.5%, në Kroaci 4.4%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 4%“, thuhet në njoftimin e EUROSTAT.

Vetëm pak ditë më parë, në raportin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë paralajmëroi se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektivin prej 3% edhe gjatë tremujorëve në vijim, ndërsa rikthimi në këtë nivel parashikohet gjatë vitit 2028.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.