Bazuar në vazot përfundimtare dhe renditjen e FIFA-s të datës 18 nëntor 2026, Kosovës mund t’i takojnë kundërshtarë të kalibrit më të lartë, por gjithashtu ekziston mundësia për një grup shumë më të përballueshëm në rrugën drejt Euro 2028.
Në shortin e kualifikueseve për Kampionatin Evropian të vitit 2028, Kosova do të vendoset në vazon e tretë, që do të thotë se do të ndeshet me nga një skuadër nga vazot 1, 2, 4 dhe 5.
Të lidhura
None found
Cilat janë skenarët e mundshëm dhe si do të dukej grupi më i fortë apo më i dobët për kombëtaren kosovare në përpjekjen për t’u kualifikuar në Euro 2028?
Sipas renditjes aktuale të FIFA-s, skenari më i keq për “Dardanët” do të ishte një grup me Spanjën, Zvicrën, Finlandën dhe Maltën.
Spanja, që kryeson renditjen botërore, do të ishte rivalja më e fortë nga vazoja e parë. Zvicra, e pozicionuar në vendin e 13-të, do të vinte nga vazoja e dytë, ndërsa Finlanda (renditur e 75-ta) do të ishte kundërshtarja më e fortë e mundshme nga vazoja e katërt dhe Malta (160) do ta mbyllte grupin nga vazoja e pestë.
Në kontrast të plotë, grupi më i lehtë i mundshëm sipas këtyre renditjeve do të përfshinte Greqinë, Irlandën e Veriut, San Marinon dhe Lihtenshtajnin.
Greqia, që mban vendin e 41-të në klasifikimin e FIFA-s, do të ishte kundërshtarja më e përballueshme nga vazoja e parë. Irlanda e Veriut (64) do të vinte nga vazoja e dytë, ndërsa San Marino dhe Lihtenshtajni do të përfaqësonin vazot e katërt dhe të pestë.
Duhet theksuar se këto janë thjesht kombinime teorike, të ndërtuara mbi bazën e renditjes së FIFA-s dhe vazove të projektuara, dhe jo grupe të konfirmuara nga UEFA.
Hedhja e shortit për kualifikueset e Euro 2028 është planifikuar të zhvillohet më 6 dhjetor në Belfast, ndërsa ndeshjet e para do të nisin në mars të vitit 2027.
Ky krahasim mbështetet në renditjen e FIFA-s, e cila nuk pasqyron gjithmonë fuqinë reale të ekipeve në një moment të caktuar. Për më tepër, UEFA aplikon kufizime për disa çifte të caktuara, duke përfshirë ndalimin e përballjeve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.





