Ministri Malaj: Fermerët përjashtohen nga ulja e pragut të TVSH, do të rregullohet me VKM

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi se fermerët do të përjashtohen nga ndryshimi i pragut të regjistrimit në TVSH, i cili parashikohet të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë.
Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të deputetëve të opozitës, përpara nisjes së diskutimit të projektbuxhetit dhe Paketës Fiskale 2027 ministri Malaj sqaroi se përjashtimi i fermerëve do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).
“Fermerët nuk do të preken nga ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Ata do të përjashtohen nga ky ndryshim, ndërsa përcaktimi i kufijve dhe mënyra e zbatimit do të rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), dhe jo përmes ndryshimeve në ligjin aktual të TVSH-së”, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Deklarata e ministrit vjen pas shqetësimeve të ngritura nga kontabilistët e Aleancës së Profesionistëve të Lirë dhe Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM), gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për Paketën Fiskale.
Ekspertët paralajmëruan se përgjysmimi i pragut mund të sillte daljen e një pjese të fermerëve nga skema e kompensimit të TVSH-së me 10%.
Përjashtimi i paralajmëruar nga ministri Malaj pritet të shmangë këtë efekt, por zbatimi konkret sipas kontabilistëve do të varet nga përcaktimet që do të bëhen në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Ulja e pragut të TVSH, kontabilistët: Nga 1 janari fermerët do të humbasin kompensimin 10%
Tatimet: Fermerët s’humbasin kompensimin 10% të këtij viti, edhe nëse kalojnë me TVSH në 2027
Ulja e pragut të TVSH, Malaj: Rekomandim i Fondit Monetar Ndërkombëtar
Gjatë seancës në Kuvend ministri Malaj sqaroi se ulja e pragut është kërkuar prej kohësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), pasi Shqipëria kishte një nga kufijtë më të lartë të regjistrimit në TVSH në Europë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, niveli aktual nuk ndihmonte mjaftueshëm në formalizmin e ekonomisë dhe zgjerimin e bazës së tatueshme.
Ministri i Financave Malaj solli në vëmendje edhe historikun e ndryshimit të pragut, duke theksuar se ndryshimet e pragut janë bërë në përputhje me zhvillimin ekonomik.
“Ulja e pragut të patatueshëm të TVSH-së vjen nga kërkesat e vazhdueshme të organizmave ndërkombëtarë, konkretisht të FMN-së, pasi pragu që Shqipëria kishte në fuqi ishte ndër më të lartët në Europë dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky nivel nuk ndihmonte në formalizimin e ekonomisë dhe zgjerimin e bazës së tatueshme.
Nga viti 1996 deri më sot, pragu i patatueshëm ka ndryshuar tetë herë. Në vitin 1996 ishte 2 milionë lekë, në vitin 1999 u rrit në 5 milionë lekë dhe në vitin 2001 arriti në 8 milionë lekë. Në vitin 2010 u ul përsëri në 5 milionë lekë dhe më pas në 2 milionë lekë.
Çështja e pragut të TVSH-së është trajtuar ndër vite dhe, në përputhje me zhvillimet ekonomike, Shqipëria ka marrë vendime për nivelin e tij”, pohoi Malaj.
Ndryshimi për herë të shtatë i pragut të TVSH; Biznesi i vogël përsëri në valën e rritjes së kostove
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









