Fjalën në Parlament, Sali Berisha nuk e mori vetëm për të skanuar buxhetin e 2027-s. Ai tha se buxheti është dëshmia më flagrante e vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve të një vendi nga narko-qeveria.

"Fliste këtu për ndërtimin. E patë apo jo? Përfaqësuesi më i shëmtuar i klaneve më të zeza të drogës. Po çfarë ndërtimi? Merrni shifrat, merrni statistikat! Janë ndërtuar në Shqipëri në 8 vite, 340 mijë familje shqiptare janë bërë me shtëpi të dytë. Jo me kulla! Jo, jo, shtëpi në fshatra, i kishin kasolle, ndërtuan shtëpi. Asnjë kullë! Po sa ishte çmimi? Merrni statistikat. Sa ishte çmimi? Çmimi mesatar, thotë INSTAT-im ishte 700 euro metri katror në 2013-ën. A e dini ju këtë apo jo? 700 euro metri katror në Tiranë. Jo në rrethe të tjera. Sot çmimi në Tiranë është 2140 euro. Çmimi mesatar. Po kush e prek dot atë?

Sa është qiraja sot në Tiranë? Na thoni pak? Po s’pyesni ju se s’keni me qira, ju grabisni, ju plaçkitni, i keni dhurata. Qiraja në Tiranë, thotë INSTAT-i, është 700 euro, është një rrogë mesatare. Keni ju zgjedhës? Ju jo me vezë, po ju me çdo gjë duhet t’u kapin ata, t’u përzënë. A shkoni ju te zgjedhësit tuaj? Sa është qiraja, ai s’merr dot shtëpi. 700 euro! Kush strehohet dot? 700 euro dhe marrin strajcën e nisen rrugëve të botës. Por, për xhinsin tuaj ju jo i blini, po ju paguani qiratë kudo.  Ju blini me kate!

Ju blini me prestanome! U ka dalë nami, iu ka dalë era në mbarë Europën. Buxheti është dëshmia më flagrante e vjedhjeve më të mëdha të qytetarëve të një vendi nga narko-qeveria dhe zyrtarët e saj", tha Berisha. 

Me 12 deputetë të tij të përjashtuar, kreu i PD-së u mor nominalisht me socialistët që, sipas tij, janë bërë mburojë e vjedhjeve qeveritare. Të parën akuzoi atë që mungonte, Belinda Ballukun.

"Rama-Lubia, Lubia-Rama. Kur ua thashë unë në fillim, e morët si folklorike, por ua thashë që janë bërë si Kostandini me Dhoqinën. Merrni pak, shihni! Keni parë, s’keni parë, një i vdekur me një të gjallë?", tha Berisha. 

Më tej, veteranët socialistë:

"Ja, ja si bën ai, shiheni. Është i kapur ai! Në qoftë se Maznikut iu gjetën vetëm në një arkë si e Ballukut 900 mijë euro, atij 7 milionë. E patë në Asamble ça tha Pandeliu? Video erotike?", vijoi Berisha. 

Nuk kurseu as më të rinjtë e grupit parlamentar të PS-së.

"Edhe ti, zonja, princesha e burgut apo e Kodrës së Kuajve, mos bëj asnjë gjest, sepse këto që them unë janë të vërteta dhe unë të këshilloj ta denoncosh edhe atë, edhe qeverinë, se ti je e re dhe nuk mund ta nisësh në këtë formë karrierën.

Ikni, jepni dorëheqjen!", tha Berisha. 

Por replikën socialistët e patën të menjëhershme, duke i kujtuar vrasjet shtetërore të 21 janarit dhe masakrën e Gërdecit.

"Sali, Rama nuk e jep dorëheqjen. Do të qeverisë Shqipërinë deri kur të përmbushë programin 2030. Aq të lodhur jeni edhe nga protesta, sa PD-ja nuk do të ketë as fuqi të nxjerrë kandidatë më 9 maj, aq të lodhur jeni ju. Jeni lodhur, protesta ju ka përdhunuar", tha Balla. 

“Dorëzo mandatin” më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard në 21 janar dhe kush e di se sa qindra të vrarëve në ’97 ën", tha Sara Mila. 

Nga jashtë Parlamentit, një përgjigje Berishës i erdhi në distancë edhe nga Pandeli Majko, që, teksa shpërndau këtë foto ku shkruhet se çelësat e vjetër nuk hapin dyert e reja, shkroi se Berisha nuk i mund dot socialistët dhe se ai nuk mund të jetë një ëndërr për të ardhmen europiane. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:33
Berisha e thumboi për deklaratën për 'video erotike', Majko i përgjigjet: Edhe batutat i ke të moshuara! Kush guxon të flasë në PD si unë në PS?

Pandeli Majko i është përgjigjur Sali Berishës, duke i bërë të qartë se nuk mund të përfitojë politikisht nga problemet e Partisë Socialiste, pasi nuk përfaqëson një alternativë për të ardhmen e vendit. Reagimi vjen pasi Berisha e sulmoi sot gjatë fjalës së tij në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, duke iu referuar deklaratave të Majkos në Asamblenë e PS-së për lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar dhe videot e sekuestruara nga SPAK, të cilat kreu i PD-së i përshkroi si plot me skena erotike.

Në një postim në Facebook, Majko i kujton Berishës se studentët e bënë lider, por zgjedhjet e tij e çuan drejt shpalljes non grata. Sipas tij, socialistët mund të rrëzohen e të ringrihen, por Berisha nuk mund t'i mundë, sepse nuk është një shpresë për të ardhmen europiane, as për të rinjtë që protestojnë sot. Ai e sfidon gjithashtu për lirinë e debatit brenda PD-së.

Reagimi i plotë i Majkos:

“Berisha më paska përmendur sot në Kuvend…!

I vetmi justifikim është mosha e tij! Edhe batutat i ka të ‘moshuara’!

Këtë individ, e bënë lider, studentët! Zgjedhjet e tij e bënë atë, ‘non grata’!

E vetmja pyetje që duhet ti bëj vetes është nëse dikush në forumet e partisë së tij mund të flas si unë tek partia ime?

Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen!

Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë!

Arsyja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndër për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot!

Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”

Gjatë seancës së sotme parlamentare Sali Berisha iu referua deklaratave të Pandeli Majkos në Asamblenë e PS-së, duke akuzuar socialistët për video komprometuese.

“Po denoncimi Majkos? Kaq naiv Gjinua nuk është, që të ngatërrojë skenat erotike me skena të tjera. I keni edhe ato dhe do u dalin”, deklaroi Berisha

Por vetë Majko ka sqaruar se me deklaratën e tij kishte folur për lidhjet e politikës me krimin e organizuar, jo për jetën private të kolegëve, duke kritikuar faktin që vëmendja mediatike ishte përqendruar te videot erotike dhe jo te shqetësimi që kishte ngritur.

Ora 14:27
Kuvend/ Sara Mila replikon Berishën: Më thotë të dorëzoj mandatin, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec dhe i 4 viktimave në 21 Janar (VIDEO)

 

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila nga foltorja e Kuvendit replikoi kreun e PD-së, Sali Berishën për deklararat e këtij të fundit në lidhje me mandatin e saj. E ndërsa shprehet se Berisha i thotë të dorëzojë mandatin, Mila sjell në vëmendje viktimat e 21 Janarit, masakrën e Gërdecit dhe të vrarët në 1997-ën.

 “Ai me të cilin e kisha replikën u largua në fakt, po e kam të sigurt që do ja dërgojë qytetarit dixhital përgjigjen, kështu që gjithsesi po e jap. E ka komentuar mandatin tim që pa ardhur unë në këtë parlament, vazhdon ta përgojojë mandatin tim edhe në ecejaket që bën në oborrin e SPAK-ut, të cilin ai vetë e shan dhe nuk e konsideron. Madje më kishte bërë nga atje edhe një thirrje që ta dorëzoja mandatin.

Mirë do ishte në fakt që këtë standardin ta kishte vendosur pik së pari zoti Berisha dhe kush e di sa mirë do ishte Shqipëria nëse zoti Berisha i pari do e kishte vendosur standardin e dorëzimit të mandatit. “Dorëzo mandatin” më thotë mua, ndërkohë që e thërret shpirti i 26 të vrarëve në Gërdec, i katër të vrarëve në bulevard në 21 janar dhe kush e di se sa qindra të vrarëve në ’97 ën. “Dorëzo mandatin” më thotë mua ndërkohë.

Në lidhje me paraqitjen e saj në SPAK, Mila tha se ishte thirrur në cilësinë e personit në dijeni. Dhe sipas saj Berisha se po nxit një fushatë sulmesh dhe shpërndarje të informacioneve të pavërteta për të.

“Zotëri, meqënëse i ke qejf ecejaket në organet e drejtësisë, merri informacionet mirë. Merre informacionin saktë se si jam thërritur unë si person në dijeni në dyert e SPAK dhe mos nxit as 101 dalmatët të cilët më ke vërsulur që ditën e parë këtij mandati duke shpërndarë gënjeshtra siç ti di më së miri ta bësh. Unë nuk i kam ditë në politikë se sa mëkate ke ti, mirëpo për këto do të vendos drejtësia, historia dhe më së shumti Perëndia”, tha ajo.

Ora 12:29
‘Keni parë s’keni parë, shkon i vdekuri me të gjallë’- Berisha ‘thumbon’ Ramën e Ballukun: Jeni bërë si Kostandini me Dhoqinën! ‘Mesazh’ Majkos pas debatit në Asamble: Gjinua s’është aq naiv (VIDEO)

 

Kryedemokrati Sali Berisha ka ‘thumbuar’ kryeministrin Edi Rama dhe ish-zv.kryeministren Belinda Balluku, të cilët i krahasoi me personazhet mitik shqiptar, Kostandinin dhe Dhoqinën.

Një mesazh Berisha e kishte edhe pas debatit të deputetit socialist Pandeli Majko në Kuvend. Berisha tha se deklaratat e pretenduara të Majkos për video erotike me eksponentë të PS-së, që deputeti socialist i mohoi, janë të vërteta.

“Rama-Lubia, e kisha thënë unë që janë bërë si Kostandini me Dhoqinën. Por ju e morët si folklorike. ‘Keni parë a s’keni parë, një i vdekur me të gjallë’. Lexoni raportin, aty ku është Rama është Lubia dhe aty ku është Lubia është Rama. Ju s’keni kurajon minimale të ngriheni e t’i thoni ‘koha jote ka marrë fund’. Juve patriotizmin u’a ka ngrënë xhepi. Jeni transformuar si personazhe të Franc Kafkës. Ja keni kaluar netflix, dhe çdo lloj filmi tjetër. Po denoncimi Makjos? Kaq naiv Gjinua nuk është, që të ngatërrojë skenat erotike me skena të tjera. I keni edhe ato dhe do u dalin. Prandaj më mirë largohuni. ‘Cili viu viu viu, kush ja bën ja bën vetiu’, thotë mençuria e popullit. Rama ka përdorur një taktikë të veçantë, atë të përlyerjes me patjetër të gjithësecilit”, tha mes të tjerash Berisha.

Ora 12:27
Balla: Ftoj PD të dalë me një kandidat në zgjedhjet e 9 majit, por nuk ua mban! Jeni të lodhur, protesta ju përdhunoi (VIDEO)

 

Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla tha gjatë fjalës së tij në seancën plenare se Partia Demokratike është lodhur aq shumë sa edhe në vendoret e 2027-ës nuk ka për të nxjerrë kandidatë.

"Zotëria që doja të bëja replikë u largua por kam besim që do t‘ia transmentojnë anëtarët e grupit.Sali, Rama nuk e jep dorëheqjen, do te qeverisë Shqipërinë deri kur të përmbushë programin 2030 e përtej, dhe këtë e caktojmë ne socialistët, nuk e caktoni kurrë ju. Aq të lodhur jeni edhe nga protesta, sa PD nuk do ketë as fuqi të nxjerrë kandidatë më 9 maj, aq të lodhur jeni ju. E ftoj PD të nxjerrë kandidatë politike në zgjedhjet e 9 majit, po s’jua mban, o Tritan nuk ua mban. Protesta ju përdhunoi”, tha Balla.