Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend buxhetin dhe paketën fiskale 2027, ku ka renditur shtyllat kryesore në të cilat ai bazohet, të cilat janë ‘mirëqenia sociale’, ‘stabiliteti fiskal dhe financa publike të qëndrueshme’, si dhe ‘investimet, reformat dhe proceset integruese në BE’.

Duke e cilësuar pr.buxhetin 2027 si historik, Malaj tha se mbështetja financiare rritet në të gjithë sektorët që kanë rëndësi për qytetarët, si për mbrojtjen sociale, investimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbështetjen më të madhe për bujqësinë, mbrojtjen dhe sigurinë.

Malaj tha gjithashtu se Qeveria parashikon dyfishim të bonusit mujor të pensionistëve, financim shtesë për kërkimin shkencor, rritje të mbështetjes për bujqësinë, rritjen me 20 mijë lekë të reja të pagave të punonjësve të Policisë, rritjen e mbështetjes për Mbrojtjen dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit.

Ndërsa për paketën fiskale, Malaj tha se u vjen në ndijmë shumicës së shqiptarëve dhe familjeve më në nevojë. 

“Një buxhet historik me mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, të parashikuara përgjatë vitit të ardhshëm. Kemi më shumë mbështetje për bujqësinë, për arsimin, për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit. Ky projektbuxhet qëndron mbi 3 shtylla të forta. E para ka të bëjë me mirëqenien sociale, e dyta me stabilitetin fiskal dhe financa publike të qëndrueshme, e treta me investimet, reformat dhe proceset integruese në BE. Ekonomia parashikohet të rritet me 4%. Papunësia në 3 mujorin e dytë zbriti në 8.3%, niveli më i ulët historik. Paga mesatare ka arritur në 967 euro, ose 9.3% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2025. Për pensionistët parashikojmë 2-fishimin e bonusit mujor.

Do të ketë financim shtesë për kërkimin shkencor. Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet i rëndësishëm i financimit publik, me synimin për të përmirësuar aksesin e shërbimeve dhe për të përmirësuar aksesin për pacientët.

Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këto arsye buxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve dhe rritjen e pagave të policëve. Për 8500 punonjës do të rritet paga bazë me 200 mijë lekë të vjetra ose 20 mijë lekë të reja. Kategoritë e tjera brenda piramidës së pagave në strukturën e Policisë do të përfitojnë shtesë pagash nga 10 mijë lekë të reja deri në 15 mijë lekë të reja, në varësi të gradave që ata kanë.

Bujqësia gjithashtu mbetet një sektor i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e zonave rurale. Buxheti parashikohet në masën e 17.9 miliardë lekëve. Ne synojmë të rrisim numrin e përfituesve, ku kemi parashikuar që për vitin 2027 të përfitojnë 43 mijë e 660 fermerë. Shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në masën e 2.35%.

Paketa fiskale 2027 përbëhet nga 5 projektligje. Ajo synon të lehtësojë barrën për individët, duke vendosur barazi fiskale, duke garantuar një barazi më të drejtë të të ardhurave. Pjesë e paketës është edhe zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburantet te taksat e mjetit. Ky projektbuxhet dhe kjo paketë fiskale mbështeten në një parim të thjeshtë, drejtësia sociale dhe qëndrueshmëria fiskale nuk janë kundërshtarë të njëra-tjetrës. Përkundrazi, ato janë kushtet që e bëjnë zhvillimin ekonomik të vendit më të qëndrueshëm”, tha mes të tjerash Malaj.


Lajmi kryesor:

Buxheti 2027, Malaj: Ulim borxhin, rrisim investimet dhe mbështetjen sociale! PD: Pse nuk caktoni minimumin jetik? Rrisni taksat për bizneset