Në  manastirin e Shën Qirjakut dhe Julitës në Dhuvjan të Gjirokastrës, i ndërtuar në vitin 1588, po vijojnë punimet për rindërtimin e konakut, një ndërhyrje që synon ruajtjen dhe rijetëzimin e një prej monumenteve të trashëgimisë mesjetare në jug të vendit.

Manastiri, me një histori mbi 400-vjeçare, gëzon statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe njihet për vlerat e tij historike, fetare dhe arkitekturore.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër e konsideron rindërtimin e konakut një ndërhyrje të rëndësishme për ruajtjen e identitetit historik dhe trashëgimisë shpirtërore të objektit.

Punimet financohen nga World Monuments Fund (Fondi Botëror i Monumenteve) dhe zbatohen nga organizata Cultural Heritage without Borders (Trashëgimia Kulturore pa Kufij), me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Rreth 120 mijë dollarë janë siguruar për fazën aktuale të restaurimit. Ndërhyrjet përfshijnë muret prej guri, qemerët, galeritë, çatinë, shkallët dhe portën hyrëse. Projekti parashikon gjithashtu shtigje që lidhin monumentet e Dropullit, ndërsa pritet edhe një financim tjetër nga një fond i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Manastiri i Shën Qirikut dhe Julitës, i njohur edhe si Manastiri i Lindjes së Hyjlindëses, është pjesë e trashëgimisë kishtare të Dropullit. Të dhënat historike e lidhin kompleksin me periudhën bizantine, ndërsa burime dhe shënime të vjetra monastike e çojnë themelimin ose rindërtimin e tij deri rreth vitit 1089.

Kompleksi ka kaluar nëpër faza të ndryshme ndërtimi dhe rindërtimi. Kisha karakterizohet nga elemente të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine, ndërsa brenda saj gjashtë kolona guri mbështesin strukturën e kupolës.

Monumenti u kushtohet shenjtorëve martirë Qiriku dhe Julita dhe, përveç vlerës fetare, mbart edhe një pjesë të historisë arsimore të zonës, pasi në kompleks ka funksionuar një shkollë për vajza.