Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, u takua në selinë e NATO-s në Bruksel me Burcu San, zëvendësndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm për Operacione.
Pas përfundimit të takimit, Haxhiu njoftoi se diskutimet u përqendruan te forcimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe NATO-s, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, si dhe te mbajtja e konsultimeve politike në mënyrë më të rregullt.
Të lidhura
None found
Ajo falënderoi KFOR-in për kontributin dhe bashkëpunimin me institucionet kosovare, duke nënvizuar se qytetarët e vendit kanë besim të lartë te NATO dhe se anëtarësimi në këtë aleancë mbetet objektiv i Kosovës.
Gjithashtu, Haxhiu theksoi se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe më shumë për sigurinë rajonale dhe evropiane, duke e ilustruar këtë me mbështetjen që vendi i ka dhënë Ukrainës.
Në bisedë u trajtua edhe përgjegjësia e Kuvendit për mbikëqyrjen demokratike të sektorit të sigurisë, si dhe ndihma dhe ekspertiza që NATO ka ofruar në këtë fushë.
Një tjetër temë e ngritur nga Haxhiu ishte përzgjedhja e delegatëve të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, përmes së cilës kërkohet forcimi i bashkëpunimit me parlamentet e vendeve aleate.
Në mbyllje, kryetarja e Kuvendit ripohoi angazhimin e Kosovës për të qenë partnere e besueshme e NATO-s.







