Vrasja në Suharekë ndodhi pas një mosmarrëveshjeje, në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në Suharekë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, pas një mosmarrëveshjeje të çastit.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari Rr.H., dyshohet se ka privuar nga jeta me armë zjarri personin me inicialet S.D., në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur të viktimës.
Pas ngjarjes, në vendin e krimit kanë dalë prokurori kujdestar, njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e krim-teknikës për të kryer procedurat hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të zbardhjes së motivit dhe rrethanave të plota të rastit.















