Më shumë se 10 shkolla në rajonin veriperëndimor të Galicisë, në Spanjë, u evakuuan pasi morën kërcënime të rreme për bomba përmes email-it, njoftoi Policia Kombëtare spanjolle. Sipas një zëdhënësi të policisë, emailet iu dërguan drejtpërdrejt shkollave. Ai nuk zbuloi përmbajtjen e tyre.
Kërcënimet për bomba në Galici janë të fundit në një seri alarmesh që kanë prekur shkolla në disa vende evropiane gjatë javëve të fundit. Hetimet për origjinën e mesazheve vijojnë, raporton Koha Jonë. Autoritetet nuk ishin në gjendje të konfirmonin numrin e saktë të shkollave të synuara, shtoi zëdhënësi.
Njësitë speciale të policisë nuk gjetën asnjë mjet të dyshimtë gjatë kontrolleve në terren. Evakuimi u krye si masë paraprake. Episodi i Galicisë vjen vetëm një javë pasi mijëra shkolla në Itali u shënjestruan nga mashtrime të ngjashme, të cilat shkaktuan alarm dhe ndërhyrje të autoriteteve.
Këto kërcënime janë të fundit në një seri alarmesh të rreme dhe sulmesh kibernetike që kanë prekur edhe supermarkete, banka gjaku, sisteme kontrolli të trafikut ajror dhe transmetues në të gjithë Evropën. Pas valës së alarmeve, qeveria italiane njoftoi javën e kaluar se evakuimi i ndërtesave publike duhet të bëhet vetëm nëse ka indikacione specifike rreziku.
Ndërkohë, autoritetet në Skoci, në Irlandën e Veriut dhe në Irlandë thane javën e kaluar se shumë shkolla kishin marrë mesazhe të ngjashme kërcënuese nga jashtë. Ato i konsideruan ato të rreme dhe lejuan që mësimi të vazhdonte normalisht. Disa zyrtarë evropianë dyshojnë se Rusia mund të jetë pas një fushate që synon të prishë jetën e përditshme të shteteve evropiane që mbështesin Ukrainën pas pushtimit rus.
Moska mohon çdo përfshirje dhe akuzon Perëndimin për një fushatë shpifjesh. Autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë ende asnjë tregues për autorët e kërcënimeve në Galici.
