Detaje të reja janë zbardhur lidhur me incidentin e ndodhur në zonën e Mulletit, ku një 24-vjeçare mbeti e dëmtuar pasi ra nga dritarja e pasme e një taksie.
Sipas të dhënave paraprake, e reja udhëtonte në automjet së bashku me një shoqe 23-vjeçare, ndërsa taksia drejtohej nga një 47-vjeçar. Dyshohet se të tre kishin konsumuar alkool përpara ngjarjes.
Në një moment, 24-vjeçarja ka hipur në dritaren e pasme të automjetit për të realizuar një video, por ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar në rrugë, duke pësuar dëmtime.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka ndaluar drejtuesin e taksisë, 47-vjeçarin me inicialet J. S. Ndërkohë, ndaj pasagjeres tjetër, 23-vjeçares L. T., ka nisur procedimi penal për veprat penale të pengimit të zbulimit të së vërtetës dhe dhënies së deklaratës së rreme.
Ndërsa 24-vjeçarja P. V. vijon të marrë trajtim mjekësor në spital.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë në këtë incident./TCH/

