Ku është Millan Radoiçiç? A mund të jetë larguar nga Serbia pa pasaportë?
A është larguar Milan Radoiçiç nga Serbia dhe, nëse po, si ka mundur ta bëjë këtë pa pasaportë? Këto janë pyetjet për të cilat institucionet përgjegjëse serbe nuk japin përgjigje.
Radoiçiç, i afërt me pushtetin në largim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), është nën hetime në Serbi për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, në shtator të vitit 2023.
Atij i humbën gjurmët në kohën kur Serbia po përgatitet për ndryshimin e pushtetit, pas humbjes së SNS-së në zgjedhjet e tetorit.
Bojana Zoriç, nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), tha për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të përjashtohet mundësia që këto zhvillime të kenë qenë një sinjal për Radoiçiçin.
“Sinjal se mekanizmat e deritanishëm të mbrojtjes politike dhe institucionale nuk do të mund të funksionojnë më”, thotë ajo.
Edhe tre vjet pas sulmit të armatosur në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues, autoritetet serbe nuk kanë ngritur aktakuzë ndaj Radoiçiçit.
Më 17 nëntor, Gjykata e Lartë në Beograd njoftoi se kishte marrë vendim për caktimin e paraburgimit dhe shpalljen e Radoiçiçit në kërkim, pasi ai nuk ishte paraqitur në polici më 15 nëntor.
Radoiçiç ishte i detyruar, sipas masës së vendosur nga gjykata, të paraqitej në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.
“Është plotësisht e qartë se Radoiçiç ka ikur, sepse është lejuar të largohet dhe është paralajmëruar”, tha avokati nga Beogradi, Aleksandar Olenik.
Sipas tij, në periudhën e pritjes së formimit të pushtetit të ri, “policia, në përgjithësi, nuk e dëgjon prokurorinë dhe, në përgjithësi, nuk dëshiron ta mbrojë interesin publik”.
Radoiçiç nuk kishte të drejtë të largohej nga vendbanimi pa leje, e kishte të ndaluar të shkonte në Kosovë dhe i ishte konfiskuar pasaporta.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e dyshon atë për disa vepra penale, që lidhen me furnizimin e paligjshëm me armë dhe “shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm”.
Vetë Radoiçiç ka pranuar se e ka udhëhequr grupin e armatosur që kreu sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Në atë kohë, ai ishte nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kush mban përgjegjësi për zhdukjen e Radoiçiçit?
Autoritetet serbe, të udhëhequra nga SNS-ja, për vite me radhë e kanë përshkruar Milan Radoiçiçin si “hero serb”, që, sipas tyre, mbron popullin serb në Kosovë, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.
Radoiçiç është parë për herë të fundit në publik para zgjedhjeve në Serbi, më 9 tetor, kur mori pjesë në një tubim zgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe në Kragujevc.
Në zgjedhjet e 25 tetorit, SNS-ja pësoi humbje pas 14 vjetësh në pushtet.
Megjithëse pushteti i ri, që pritet të udhëhiqet nga Lista Studentore, ende nuk është formuar, policia dhe prokuroritë kanë nisur një sërë arrestimesh lidhur me vepra të ndryshme penale.
Zorana Bojiç thotë se, pavarësisht periudhës së tranzicionit politik, përgjegjësia për zbatimin e masave të mbikëqyrjes mbetet tek institucionet kompetente.
“Tranzicioni politik mund të shpjegojë pse ai mund të ketë vendosur të largohet pikërisht tani, por jo edhe se si ka mundur t’u shmanget masave të mbikëqyrjes që tashmë ishin në fuqi”, vlerëson ajo.
Disa ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd ta shpallte Radoiçiçin në kërkim, në publik qarkulluan pretendime jozyrtare se ai ishte arratisur në Rusi.
Rusia është nën sanksione perëndimore dhe është përballur me izolim ndërkombëtar që nga viti 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Në javët pas zgjedhjeve, nga Serbia u largua edhe Zvonko Veselinoviç, biznesmen nga veriu i Kosovës dhe bashkëpunëtor i deritanishëm i Radoiçiçit.
Siç kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, Veselinoviçi fluturoi nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor, duke përdorur pasaportën serbe.
Ai shoqërohej nga vëllai i tij, Zharko Veselinoviç.
Çfarë po ndodh me hetimet ndaj Radoiçiçit në Serbi?
Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviç, tha më 16 nëntor se aktakuza për rastin Banjska nuk është ngritur, pasi autoriteteve serbe nuk u janë dorëzuar provat nga Kosova.
Megjithatë, pas sulmit të armatosur në Banjskë, Kosova kishte shpallur Radoiçiçin në kërkim përmes UNMIK-ut, por Serbia nuk kishte vepruar në bazë të këtij urdhërarrestimi.
Prokuroria e Kosovës ka akuzuar 45 persona për sulmin në Banjskë, prej të cilëve tre janë dënuar, ndërsa të tjerët, përfshirë Radoiçiçin, janë në arrati.
Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar vazhdimisht që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të dalin para drejtësisë.
Këto kërkesa u janë drejtuar edhe autoriteteve në Beograd.
Edhe pse Aleksandar Vuçiçi, gjatë mandatit të tij si president i Serbisë, kishte premtuar disa herë se Radoiçiç do të ndiqej penalisht, kjo nuk ka ndodhur as tre vjet pas sulmit.
Radoiçiç është gjithashtu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të akuzave që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Vrasja në Suharekë, Prokuroria: Viktima u vra në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur
Nesër seanca e Kuvendit të Kosovës, PDK-ja kërkon të votohet ligji për Gjykatën Speciale
Koalicioni Shqiptar i gatshëm për dialog me pushtetin e ri në Serbi, nuk heq dorë nga kërkesat
- 16:51 BE propozon një kredi prej 45 mld eurosh për Ukrainën për të shmangur krizën financiare dhe për të forcuar mbrojtjen
- 16:41 Ministri Metnar: Atletët rusë nuk do të lejohen të hyjnë në Çeki për kampionatin botëror të hokejit
- 16:39 Shfrytëzimi i imazhit pa leje, Messi përgatit padi ndaj Federatës së Argjentinës
- 16:35 Trump takim “kokë më kokë” me Putin në Kinë, zyrtari amerikan zbulon se kur do të zhvillohet
- 16:30 Vrasja në Suharekë, Prokuroria: Viktima u vra në prani të bashkëshortes dhe vajzës së mitur
- 16:27 Putin kritikon BE-në për kufizimin e importit të naftës ruse: Standardet e jetesës po bien vazhdimisht