Në Nju Jork mbahet gala mbrëmja e NCAFP-së, në mesin e të pranishmëve ambasadorë dhe diplomatë amerikanë
Në Nju Jork është mbajtur gala mbrëmja e Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane (NCAFP), ku janë mbledhur ambasadorë, diplomatë, ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe Pentagonit, si dhe përfaqësues të mediave amerikane.
Në këtë ngjarje morën pjesë presidenti emeritus i NCAFP-së, Dr. George Schwab, dhe presidentja dhe drejtoresha ekzekutive e organizatës, ambasadorja Susan Elliott.
Tema qendrore e takimit vjetor ishte “Diplomacia në veprim”, me fokus në rolin e diplomacisë dhe dialogut në marrëdhëniet ndërkombëtare.
NCAFP është organizatë amerikane e themeluar në vitin 1974 nga profesori Hans Morgenthau, një prej teoricienëve të njohur të realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.
Organizata angazhohet në promovimin e diskutimit dhe shkëmbimit të ideve mbi politikën e jashtme amerikane dhe çështjet ndërkombëtare.
Gala mbrëmja shërbeu si një mundësi për takime dhe shkëmbim pikëpamjesh mes personaliteteve të diplomacisë, politikës së jashtme dhe medias./Telegrafi/






































