Putini nxjerr “armën e fundit” në Kinë, shkon në Shenzhen me çantën bërthamore
Një detaj nga vizita e Vladimir Putinit në Kinë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Pranë automjeteve të delegacionit rus në Shenzhen, kamerat kanë filmuar një oficer me uniformë që mbante një çantë të zezë, e identifikuar si pjesë e sistemit të komandës bërthamore të Rusisë.
Pamjet, të transmetuara nga mediat ruse RT dhe Rossiya-1, tregojnë momentin kur një gazetar i drejtohet oficerit për të konfirmuar nëse çanta që po mbante ishte pajisja e vërtetë bërthamore e presidentit rus.
“Është çanta bërthamore? Ajo e vërteta?”, pyet gazetari. Oficeri përgjigjet shkurt: “Ajo e vërteta”.
Bëhet fjalë për çantën e njohur si “Cheget”, një element i rëndësishëm i sistemit rus të komandës strategjike “Kazbek”. Ajo shërben si terminal komunikimi i sigurt, përmes të cilit presidenti mund të lidhet me drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe të përcjellë urdhra të koduar në situata kritike.
Ndryshe nga ideja e përhapur se kjo pajisje përmban një buton të vetëm për nisjen e raketave bërthamore, funksioni i saj është më kompleks. “Cheget” është pjesë e një rrjeti komunikimi dhe vendimmarrjeje strategjike, që përdoret në procesin e komandimit të arsenalit bërthamor rus.
Mbajtja e çantës gjatë udhëtimeve të Putinit nuk përbën një praktikë të re apo të pazakontë. Ajo shoqëron presidentin rus edhe gjatë vizitave jashtë vendit, në kuadër të protokollit të sigurisë dhe komandës strategjike.
Megjithatë, fakti që pajisja u filmua nga afër dhe identiteti i saj u konfirmua nga një pjesëtar i delegacionit i dhanë pamjeve një vëmendje të veçantë, veçanërisht në një moment kur çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe kontrollit të armëve bërthamore mbeten në qendër të zhvillimeve diplomatike.
Putini ndodhet në Kinë për samitin e APEC-ut, ku në axhendë janë edhe takimet e nivelit të lartë me udhëheqës botërorë. Në këtë kontekst, prania e pajisjes së komandës bërthamore pranë presidentit rus është kthyer në një nga detajet më të komentuara të vizitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



