Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka nisur nga Diga e Bovillës një proces inspektimi dhe verifikimi të gjendjes teknike të të gjitha digave dhe ujëmbledhësve në territorin e qarkut, me fokus garantimin e sigurisë së tyre dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. I shoqëruar nga nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Sadi Vorpsi, kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha (KKDM), Ardian Islami, drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Flaurenc Shoshi, si dhe përfaqësues të grupit ndërinstitucional të punës, Hajdari inspektoi nga afër Digën e Bovillës, në Zall-Herr. Sipas prefektit, nga verifikimet dhe vlerësimet e kryera në terren rezultoi se Diga e Bovillës ndodhet në gjendje të mirë teknike dhe nuk paraqet probleme të rënda që cenojnë funksionimin e saj normal.
Postimi i plotë
Sot filluam nga Diga e Bovillës, verifikimin e gjendjes teknike në vend, të të gjitha digave dhe ujëmbledhësve të Qarkut Tiranë! Së bashku me Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Sadi Vorpsi, Kryetarin e KKDM-së, z. Ardian Islami, Drejtorin e UKT-së, z. Flaurenc Shoshi, si dhe grupin ndërinstitucional të punës, inspektuam nga afër Digën e Bovillës, në Zall-Herr.
Fokusi i këtij inspektimi ishte siguria e kësaj vepre me rëndësi të veçantë dhe cilësia e furnizimit me ujë për kryeqytetin. Gjatë takimit, diskutimeve dhe vlerësimit të situatës në vend, rezultoi se Diga e Bovillës është në gjendje të mirë teknike dhe pa probleme të rënda në funksionimin e saj normal.
Pas Bovillës, inspektimet do të vijojnë nesër në Digën e Liqenit Artificial të Tiranës dhe në Farkë, si dhe në të gjithë territorin e Qarkut. Në përfundim të inspektimeve dhe verifikimeve konkrete, projektet do të dërgohen për miratim pranë KKDM-së, me qëllim mirëmbajtjen e tyre, në koordinim të plotë me Prefekturën e Tiranës dhe të gjitha Bashkitë e Qarkut.
Për Bovillën, nevojitet dixhitalizimi i sistemit të të dhënave për pastërtinë e ujit dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve teknike, me synimin përfundimtar: ujë të pastër dhe të pijshëm për qytetarët, drejtpërdrejt në çezmat e tyre.
Si Prefekt i qarkut, do i kerkoj të gjitha bashkive, qe në kuader të perpilimit të buxhetit per vitin 2027,te planifikojne fonde për mirëmbajtjen e digave, rritjen e sasisë së ujit për qytetarët e bisneset si dhe përmirësimin e cilësisë së tij.
