Presidenti kinez Xi Jinping hapi një ndryshim të dukshëm të protokollit diplomatik duke pritur personalisht në aeroportin e Shenzhenit kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump. Dy liderët shtrënguan duart dhe shkëmbyen një përqafim të pazakontë, ndërsa sipas protokollit kinez liderët e huaj zakonisht priten në pallatin presidencial dhe jo në aeroport. Përqafimet janë të rralla në sjelljen publike të Xi-së, i cili më parë një gjest të tillë ia kishte rezervuar kryesisht presidentit rus Vladimir Putin.
Analistët kanë nxituar ta interpretojnë pritjen e Trumpit si një shenjë të rëndësisë që Kina i kushton marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, dhe se Xi duket se ka përshtatur edhe gjuhën e tij diplomatike me stilin personal të presidentit amerikan. Sipas disa zërave, përqafimi i Trumpit nuk ishte thjesht një gjest miqësor, por një sinjal simbolik i pozicionit që Kina kërkon të ketë në skenën ndërkombëtare. Me këtë veprim, thuhet se Xi Jinping synon të tregojë se Kina qëndron në të njëjtin nivel fuqie dhe rëndësie globale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, Vladimir Putinit nuk i rezervua e njëjta pritje në aeroport: atë e priti Cai Qi, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të liderit kinez. Ky dallim në protokoll ka nxitur interpretime se Pekini mund të jetë duke dërguar një mesazh diplomatik edhe ndaj Moskës, ndërsa diskutohet për takimin trepalësh Kinë-SHBA-Rusi. Gjatë darkës zyrtare, Trump dhe Putin u përshëndetën me shtrëngim duarsh, ndërsa Xi ndoqi takimin në cilësinë e mikpritësit.
Të enjten pritet takimi i tyre i parë trepalësh, një ngjarje e cilësuar nga disa politikanë si historike dhe krahasuar me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku udhëheqësit e fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore diskutuan dhe vendosën mbi riorganizimin e Evropës pas luftës.
