Avokati Plarent Ndrenca, i ftuar në emisionin ”Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, ka folur për marrëdhëniet mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut, si dhe për diskutimet lidhur me pasardhësin e mundshëm të Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. I pyetur nga Nikoll Lesi nëse mes Veliajt dhe Ballukut ka pasur një rivalitet të fshehtë për drejtimin e ardhshëm të PS-së, Ndrenca mohoi të kishte dijeni për një konflikt mes tyre. “Nuk ka konflikt mes tyre. Nuk ka ndonjë raport konfliktual mes tyre. Unë nuk kam informacion që ka një gjë të kësaj natyre”, u shpreh avokati.
Sipas Ndrencës, të dy figurat socialiste kanë peshën dhe kontributin e tyre politik brenda Partisë Socialiste, ndërsa zhvillimet e ardhshme do të varen nga pozicioni dhe mbështetja që secili gëzon në parti. “Secili ka kontributet e veta, secili ka votat e veta, secili ka imazhin e vet, secili ka historinë e vet në Partinë Socialiste dhe patjetër besoj që këto janë ato që vendosin se çfarë ndodh nesër në Partinë Socialiste”, deklaroi ai.
Gjatë intervistës, diskutimi u ndal edhe te marrëdhënia mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, veçanërisht pas qëndrimeve kritike të kryebashkiakut të Tiranës ndaj drejtimit të Partisë Socialiste.
Ndrenca bëri të ditur se Veliaj vijon të mbështesë idenë që Rama t’i nënshtrohet një mocioni besimi brenda strukturave të PS-së. “Deri mbrëmë që e kam takuar unë, është i qartë, shumë i qartë që Rama duhet t’i nënshtrohet një mocioni besimi në Partinë Socialiste”, tha Ndrenca.
Ai sqaroi se kjo kërkesë nuk duhet interpretuar automatikisht si një përpjekje për shkarkimin e kryeministrit Rama, por si një proces që duhet të zhvillohet sipas rregullave statutore të partisë. Sipas avokatit, Veliaj ka shprehur publikisht shqetësimet e tij për funksionimin e Partisë Socialiste dhe kërkon që strukturat drejtuese të reflektojnë për problematikat e brendshme.
