Real Madridi nuk ka ndërmend ta shesë Vinicius Juniorin, as gjatë afatit kalimtar të janarit dhe as në të ardhmen, pavarësisht formës së dobët që braziliani po kalon në fillim të sezonit 2026/27.

Sipas gazetarit Fabrizio Romano, drejtuesit e klubit madrilen vazhdojnë të kenë besim të plotë te sulmuesi 26-vjeçar dhe besojnë se ai mund të rikthehet në nivelin e tij më të mirë.


Megjithatë, paraqitjet e tij të fundit kanë shkaktuar pakënaqësi te tifozët, të cilët madje e kanë vërshëllyer në “Santiago Bernabeu”. Edhe ish-drejtori sportiv i Real Madridit, Pedja Mijatovic, së fundmi paralajmëroi se e ardhmja e brazilianit mund të vihet në pikëpyetje nëse ai nuk arrin t'i përmirësojë paraqitjet.

Vinicius ka regjistruar vetëm një gol dhe tri asistime në 12 paraqitje me Real Madridin këtë sezon.

Megjithatë, ai ka treguar formë krejtësisht tjetër me Kombëtaren e Brazilit, ku fillimisht realizoi dy gola ndaj Japonisë, përpara se të shënonte het-trik në fitoren bindëse 7-0 ndaj Singaporit.

Real Madridi ia kishte vazhduar kontratën në gusht dhe drejtuesit e klubit pritet ta mbështesin gjatë kësaj periudhe të vështirë, në vend që të shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tij./Telegrafi/