Pr.buxheti 2027, Hasani: Këtu kuptohet anëtarësimi në BE, buxheti bëhet një shërbim më i mirë për çdo shtetas shqiptar
Deputeti socialist, Igli Hasani, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, komentoi projektbuxhetin e mazhorancës për vitin 2027.
Hasani tha se në këtë buxhet të vitit të ardhshëm shihet qartë filozofia e përdorur, e cila përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Sipas tij, në këtë buxhet kuptohet edhe anëtarësimi në BE, pasi buxheti bëhet një shërbim më i mirë për çdo shtetas shqiptar.
“Ne, mazhoranca socialiste, e kemi lidhur këtë buxhet me shpërndarjen e rritjes ekonomike. Ky është thelbi politik i vitit 2027. Ekonomia është trefishuar, rritja ekonomike vazhdon me ritmin 4% në vit, papunësia është nën 10%, paga mesatare po shkon pothuajse në 1 mijë euro. Rritja ekonomike merr kuptim kur përkthehet në mirëqenie. Kjo është filozofia e buxhetit që është paraqitur sot, të cilin ne do të votojmë në vazhdim të ditës. Ky buxhet ndërhyn te kostoja e jetesës përmes uljes së TVSH-së për produktet e shportës, te karburantet dhe, së treti, te drejtësia fiskale. Rritja shkon te mësuesi, mjeku, infermieri, ushtaraku dhe te çdokush që ushtron një profesion, te çdo familje. Këtu kuptohet anëtarësimi në BE, buxheti bëhet një shërbim më i mirë për çdo shtetas shqiptar”, tha Hasani.
Më tej, Hasani theksoi se ky buxhet do të jetë një mbështetje më e madhe për sistemin e drejtësisë në vend, si dhe për institucionet ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Buxheti 2027 mbështet më mirë sistemin e drejtësisë. Po aq e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe aftësia e shtetit për të sekuestruar asetet e vëna nga veprimtaria kriminale”, vijoi më tej Hasani.




