Gjykata e Posacme ka dënuar me burg këtë të mërkurë ish-kryebashkiakun socialist dhe nënkryetaren e Bashkisë së Memaliajt. Ish kryebashkiaku Gjolek Guci është dënuar me 1 vit e 4 muaj burg pasi u shpall fajtor për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë në bashkëpunim. Fillimisht, Guci u dënua me 2 vite burg, por përfitoi uljen me një të tretën e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burg. Gjithashtu, GJKKO i ka hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Për të njëjtën vepër penale, GJKKO shpalli fajtore edhe Edmonda Harizin, e cila u dënua fillimisht me 1 vit burg. Pas uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo u dënua përfundimisht me 8 muaj burg. Edhe Harizit iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.