Letërsia e shpëtoi Ben Blushin nga burgu
Publikuar nga Andi Myrta
Ben Blushi, është një shembull i dobishëm për çdo të ri shqiptar që dëshiron të ngrejë një karrierë të palëkundur në jetën e tij. Është një tregues i qartë se si mund t’i shmangen nesër përpjekjeve të bishave nëse i përkushtohen leximit.
Ai, në sajë të letërsisë, ia doli të mos përlyhet nga regjimet binjake të Edi Ramës dhe Sali Berishës, të cilët, pasi uzurpuan partitë e tyre, ua shkulën begatinë intelektuale, duke i shkretuar ato si gjithçka tjetër që u preku dora.
Si Edi Rama, ashtu edhe Sali Berisha, ëndrrat më me ngjyra i kanë pasur për t’i burgosur njerëzit si Ben Blushi, që në çdo rrethanë nuk janë shkëputur prej librave.
Në shumicën e rasteve e kanë realizuar këtë ëndërr. Shantazhet, përzënia nga vendi apo kërcënimet për bukën e gojës ndaj intelektualëve, tashmë elitën shqiptare e kanë shndërruar në një tokë gëlqerore që kultivon veçse shkurre me gjemba të thata.
Ben Blushi është një dëshmi konkrete se çdo i ri që ka ambicie politike, nëpërmjet librave, mund të zërë vend në shoqëri nesër, ashtu si Ben Blushi sot.
Nëse jo, patjetër, është i destinuar të ketë një fund të ngjashëm me ata që ndodhen tashmë, apo që së shpejti do të përfundojnë në qeli.
Ndërsa këtë e them si shkrimtar.
Libri më me vlerë që është shkruar përgjatë mjerimit pluralist titullohet “Historitë e çmendura të Tiranës”. Është një vepër që e zgjon shpirtin e pakrahasueshëm të një qyteti si Tirana, që, edhe pse jo aq të plotë, e kam hasur veçse në New Orleans.
Them, lexojeni. Madje, disa herë.
Më e pakta, do të mund ta kuptoni se çfarë i kanë bërë dy personazhet e sipërpërmendur Tiranës së dikurshme, duke ia suvatuar shpirtin e ndershëm prej qerpiçi me bajgat e tyre.
Ah, sikur çdo qytet e fshat shqiptar të kishte një libër të tillë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



