Vladimir Potanin me ish-bashkëshorten e tij, Natalia Potanina
Ish-bashkëshortja e oligarkut rus Vladimir Potanin do të kërkojë që ai t’i paguajë 600 milionë paund për “nevojat e saj të arsyeshme”, nëse gjykata rrëzon kërkesën e saj për të përfituar një pjesë të pasurisë së tij, e vlerësuar në 30 miliardë dollarë. Çështja përbën gjyqin më të madh të divorcit të zhvilluar ndonjëherë në Britani.
Potanin, manjati i palladiumit dhe nikelit, ndaj të cilit janë vendosur sanksione, po përgatitet këtë javë të kundërshtojë kërkesën e ish-bashkëshortes së tij, Natalia Potanina, në një çështje që do të vërë në provë reputacionin e Londrës si kryeqyteti botëror i divorceve.
Çështja, të cilën Potanina e nisi fillimisht në vitin 2018, pritet më në fund të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, pas një beteje të gjatë paraprake mbi procedurat ligjore, e cila tashmë ka ndikuar në formësimin e rregullave për divorcet me vlera të larta financiare të shtetasve të huaj në Angli, shkruan Ft.
Potanin, i cili për një periudhë të shkurtër shërbeu si zëvendëskryeministër i Rusisë nën drejtimin e Boris Yeltsin në vitet 1990, nuk ka jetuar asnjëherë në Britani. Ish-bashkëshortja e tij u zhvendos në Londër pas divorcit të tyre në vitin 2014 dhe mori shtetësinë britanike.
Ajo shpreson të përfitojë një pjesë të pasurisë së krijuar gjatë martesës, me argumentin se ajo u akumulua falë përpjekjeve të përbashkëta gjatë 30 viteve të martesës së tyre.
Pasuria e Potaninit është pothuajse dyfishuar që nga viti 2018, duke arritur në 29.7 miliardë dollarë, sipas revistës Forbes.
Asetet e tij përfshijnë një pjesëmarrje përfituese në kompaninë minerare Norilsk Nickel, si dhe investime të tjera, prona luksoze dhe pasuri private, siç është bërë e ditur më parë në Gjykatën e Lartë.
Si alternativë, nëse gjyqtari rrëzon kërkesën e saj për të marrë një pjesë të aseteve, Potanina pritet të kërkojë gjithashtu rreth 600 milionë paund për të mbuluar “nevojat e saj të arsyeshme”. Kjo shumë përfshin rreth 150 milionë paund për një banesë në Londër, 440 milionë paund për shpenzimet e mirëmbajtjes dhe 10 milionë paund për shpenzime të tjera kapitale.
Çështja është më e rëndësishmja në një seri mosmarrëveshjesh martesore që përfshijnë shtetas të huaj të pasur në Angli, ku sistemi ligjor konsiderohet dukshëm më tërheqës për palët ekonomikisht më të dobëta sesa juridiksionet e tjera.
Sipas legjislacionit anglez për çështjet familjare, termi “nevoja” nuk i referohet vetëm nevojave bazë, por lidhet me standardin e jetesës që çifti gëzonte gjatë martesës. Në seancat paraprake, avokatët e Potaninës i janë referuar stilit të jetesës “madhështor” të çiftit.
Detaje të mëtejshme të kërkesave të saj pritet të bëhen publike kur gjyqi, që do të shqyrtohet nga gjyqtari MacDonald, të nisë të mërkurën.
Peter Burgess, partner në studion ligjore Burgess Mee, i cili nuk është i përfshirë në këtë çështje, tha se, megjithëse koncepti i “nevojave të arsyeshme” është elastik në të drejtën angleze, “mund të thuhet se ky koncept i elasticitetit është shtrirë përtej çdo kufiri të njohshëm” në këtë rast.
Potanin, i renditur tashmë nga Forbes si personi i dytë më i pasur në Rusi, pritet të dëshmojë gjatë gjyqit nga Rusia, përmes një lidhjeje video.
Avokatët e tij kanë argumentuar se mosmarrëveshja është zgjidhur tashmë nga gjykatat në Rusi, ku çifti u martua në vitin 1983 dhe u divorcua në vitin 2014.
Shuma që gjykatat ruse i akorduan Potaninës është objekt mosmarrëveshjeje: ai pretendon se ajo mori rreth 84 milionë dollarë, ndërsa ajo thotë se shuma ishte 41.5 milionë dollarë.
Ajo po e ndjek çështjen në Londër në bazë të Pjesës III të Ligjit për Procedurat Martesore dhe Familjare, i cili u lejon personave të divorcuar të kërkojnë kompensim në Angli nëse arrijnë të provojnë lidhje të mjaftueshme me Britaninë e Madhe dhe të dëshmojnë se rezultati i procesit gjyqësor jashtë vendit ishte i padrejtë.
Gjykata e Lartë e bllokoi fillimisht kërkesën e saj në vitin 2019, me argumentin se çifti kishte pak lidhje me Britaninë e Madhe dhe se çështja mund të krijonte një situatë ku “turizmi i divorceve nuk do të kishte asnjë kufi”.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi vitin e kaluar se Potanina kishte një “lidhje domethënëse” me Anglinë dhe mund të argumentonte se rezultati i procesit gjyqësor në Rusi kishte qenë “i padrejtë”.
Potanin dhe Potanina u njohën si adoleshentë në shkollë, në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa ajo kujdesej për shtëpinë dhe rriste fëmijët e tyre, bashkëshorti i saj u bë një nga figurat më të fuqishme të rendit ekonomik post-sovjetik.
Potanin ishte ideatori i një skeme për të shpëtuar qeverinë e Yeltsinit, e cila po përballej me mungesë fondesh, në këmbim të aseteve shtetërore. Në fund, ai siguroi një pjesëmarrje në Norilsk Nickel me një çmim që konsiderohet gjerësisht shumë më i ulët se vlera reale.
Edhe nëse fiton çështjen, Potanina mund të përballet me sfida të konsiderueshme për të arkëtuar pagesat.
Interesat kryesore të Potaninit ndodhen në Rusi dhe ndaj tij u vendosën sanksione nga Britania e Madhe në vitin 2022, për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Kate Clark, drejtuese e departamentit të çështjeve familjare në studion ligjore Mishcon de Reya, tha: “Mundësia që gjykata të nxjerrë urdhra financiarë në lidhje me një divorc të zhvilluar jashtë vendit nuk ka qenë pa polemika, veçanërisht kur, si në rastin e martesës së zotit dhe zonjës Potanin, e gjithë martesa është zhvilluar në një shtet tjetër.”
Në një rast të njohur, Tatiana Akhmedova iu akorduan 454 milionë paund në vitin 2016, gjatë divorcit nga miliarderi rus Farkhad Akhmedov. Ajo përfundimisht pranoi një marrëveshje, pasi kishte tentuar pa sukses të sekuestronte superjahtin e tij, Luna.
Megjithatë, në rastin e Potaninës, dokumentet e mëparshme të paraqitura në gjykatë kanë treguar se subjekte të lidhura me ish-bashkëshortin e saj zotërojnë qindra milionë paund në para të gatshme, si dhe investime jashtë Rusisë, të cilat u ngrinë pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Nëse ajo fiton çështjen në Londër, këto asete mund të jenë të arritshme për të.
Avokatët thanë se çështja nuk ka gjasa të përfundojë me vendimin e Gjykatës së Lartë.
“Mund të ketë një sërë procesesh gjyqësore në juridiksione të ndryshme në mbarë botën, të lidhura me ekzekutimin e vendimit, ndërsa ajo përpiqet të rikuperojë shumat që do t’i akordohen”, tha Burgess.