Pesë persona janë arrestuar në Itali, në kuadër të një hetimi për trafikimin e kokainës. Mes tyre janë edhe dy shqiptarë, të cilët jetonin në rajonin e Lombardisë. Njëri prej tyre, 49 vjeç dyshohet nga autoritetet italiane si furnizuesi kryesor i kokainës për zonën ku vepronte rrjeti.

Operacioni u krye nga Karabinierët, pas një hetimi që kishte nisur në muajin shkurt, kur policia sekuestroi disa gramë kokainë te persona që dyshohet se e kishin blerë atë në banesën e një 59-vjeçari.

Pas këtij episodi, hetuesit zgjeruan kontrollet përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve, duke zbuluar një rrjet të dyshuar furnizimi dhe shpërndarjeje të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, kokaina u dërgohej klientëve drejtpërdrejt në banesa apo në vendet e tyre të punës.

Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan edhe dy raste të transportimit të drogës. Dy persona, 59 dhe 62 vjeç, ishin arrestuar më herët, pasi në automjetet e tyre u gjetën përkatësisht 100 dhe 33 gramë kokainë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe 49-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili prej disa muajsh ndodhet në burg për një tjetër çështje, që lidhet me sekuestrimin e 94 kilogramëve kokainë. Sipas hetuesve, një pjesë e kësaj sasie dyshohet se ishte e destinuar për tregun e drogës në zonën e Triestes.

Pas ekzekutimit të masave të sigurisë, tre personat nga Italia u dërguan në burgun e Triestes, ndërsa dy shqiptarët u transferuan në burgjet e Bergamos dhe Breshias.

Të pesë personat dyshohen për mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.