Si nisi historia e dashurisë me Gresën, Arbër Zeka e zbulon në “Ftesë në 5”: I kërkova numrin, mezi pranoi të më takonte

18/11/2026 18:40

Arbër Zeka dhe Gresa Bakraqi kanë rrëfyer në “Ftesë në 5” detaje nga njohja e tyre e parë, afrimi dhe planet që kishin për jetën përpara se të takoheshin.

Historia e dashurisë mes Arbërit dhe Gresës nisi në mënyrë të papritur, gjatë Kampionatit Botëror, ku të dy u takuan për herë të parë në një aktivitet të organizuar në Fan Zone.

Të ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, çifti ka ndarë me publikun prapaskenat e njohjes së tyre, duke treguar se si një takim që fillimisht nuk kishte asnjë lidhje me një histori romantike u kthye në fillimin e marrëdhënies së tyre.

Arbëri rrëfeu se në atë kohë kishte marrë detyrën për të moderuar Fan Zone, ku ftoheshin sportistë, atletë, aktorë dhe këngëtarë. Mes të ftuarve ishte edhe Gresa, emrin e së cilës e njihte për shkak të suksesit në sport, por nuk e kishte takuar më parë nga afër.

“Unë emrin e saj patjetër që e kam njohur, sportin e saj patjetër që e kam njohur, por sikur nuk isha takuar kurrë nga afër. Unë jam rritur me frymën se bashkëshortja ime, gruaja ime në të ardhmen, duhet të jetë nga Rrafshi i Dukagjinit, nga Gjakova ose nga Peja”, rrëfeu ai.

Pikërisht kur e pyeti Gresën se nga ishte dhe ajo iu përgjigj se vinte nga Peja, Arbëri e konsideroi këtë një tjetër shenjë pozitive.

“Duke parë Gresën, duke ditur edukatën dhe familjen nga vjen, thashë: Më duket se ia dola. Fillova t’i shpreh dashurinë, fillova t’ia kërkoj numrin. Hezitoi në fillim, më pas pranoi. Ma tha numrin, e mbajta mend, e fiksova në mendje dhe në momentin që përfundon emisioni, i shkruaj në WhatsApp”, tregoi ai me humor.

Ai tregon se ka këmbëngulur për ta takuar sërish, derisa Gresa pranoi.

“Insistova gjithmonë për ta takuar. Mezi pranoi, duke ditur angazhimet e shumta që kishte. Takohemi dhe nga ajo ditë nuk jemi ndarë. Çdo ditë takohemi, nëse nuk takohemi, është sepse ajo është në ndonjë garë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Gresa tregoi se në atë periudhë nuk e kishte aspak në planet e saj krijimin e një lidhjeje. Prej dy vitesh jetonte në Madrid dhe ishte e përqendruar te karriera sportive, me synimin për të arritur objektivat e saj në Lojërat Olimpike të Los Angeles.

“Personat që më njohin e dinë që unë nuk kam pasur as edhe një qëllim ose mendim për të krijuar një lidhje deri në Lojërat Olimpike Los Angeles”, tha sportistja.

Ajo rrëfeu se fillimisht kishte menduar se ishte ftuar në intervistë për sukseset e saj sportive, pasi kishte fituar dy medalje ballkanike brenda 24 orëve. Madje, në atë periudhë kishte pasur edhe angazhime të tjera, përfshirë një takim në ministri.

“Unë shumë pak jap intervista në Kosovë, për shkak se kam dy vite që jetoj në Madrid dhe për shkak të qëllimit të Lojërave Olimpike në Los Angeles. Kjo ka qenë arsyeja që nuk kam qëndruar shumë në Kosovë”, tregoi ajo.

Gresa pranoi se personaliteti i Arbërit ishte ndryshe nga ai që ajo ishte mësuar të takonte. Ndërsa vetë ishte më e rezervuar dhe kërkonte që gjërat të ecnin me qetësi, ai ishte spontan dhe i drejtpërdrejtë.

“Unë isha e kundërta, doja që gjërat të ishin më të kontrolluara, më të qeta, mirëpo nuk ka pasur qetësi asnjëherë. Gjithçka e ka bërë shumë shpejt, mirëpo e ka pasur vendosmërinë shumë të qartë se çfarë ka dashur. Jemi në një kulturë shqiptare që është pak e vështirë me gjetë dikë që të kuptojë kur je gjatë gjithë kohës në aktivitete dhe gara ndërkombëtare. Është pak e vështirë një mashkull me kuptu karrierën e një femre”, rrëfeu ajo.

Megjithatë, njohja me Arbërin duket se i ndryshoi planet. Ajo veçoi transparencën dhe mirëkuptimin që kanë pasur që në fillim të marrëdhënies.

Duke folur për emocionet që kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë së bashku, Gresa u shpreh se darka e tyre e parë ishte fantastike dhe se ditët që po kalojnë janë edhe më të bukura.

Top Channel