Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Shpresa Lukaj, ka pranuar para Komisionit Hetimor Parlamentar se në dokumentacionin për rastin e Arlinda Zekajt mungonte plani individual i trajtimit, i kërkuar me ligj. Megjithatë, ajo pretendoi se menaxherja e rastit kishte kryer monitorime të vazhdueshme dhe se viktima nuk ishte paraqitur si person në rrezik.
Gjatë dëshmisë për veprimet dhe mosveprimet institucionale para vrasjes së Arlinda Zekajt, Lukaj tha se zyrtarët e QPS-së kishin punuar me formularët që dispononin, ndërsa pas konstatimeve të komisionit do të ndërmerreshin masa.
E pyetur nga deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, nëse ishte në dijeni se në këtë rast nuk ishte hartuar plani individual, siç e kërkon ligji, ajo u përgjigj: “Ashtu kanë vepruar, ashtu kanë punuar”.
Lukaj pranoi gjithashtu se nuk ishte takuar asnjëherë personalisht me Arlinda Zekajn.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë seancës ishte ankesa që viktima kishte adresuar më 10 korrik ndaj mënyrës se si zyrtarët e QPS-së kishin trajtuar raportimin e dhunës në familje. Sipas Lukajt, institucioni kishte marrë një ankesë për trajtim të njëanshëm, por e kishte vlerësuar atë të pabazë.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime edhe për monitorimin e rastit dhe trajtimin e dy përfituesve, nënës dhe fëmijës. Ajo pyeti se ku kishte qëndruar fëmija gjatë gjithë kësaj periudhe dhe nëse dikush ishte marrë me nënën, duke ngritur dyshime edhe për mungesën e një rivlerësimi të rrezikshmërisë.
Drejtoresha e QPS-së këmbënguli se menaxherja e rastit kishte kryer monitorime të vazhdueshme.
“Nuk besoj se ka qenë kjo, menaxherja e rastit ka pasur monitorime të vazhdueshme”, tha ajo.
E pyetur nëse Arlinda Zekaj ishte konsideruar ndonjëherë në rrezik, Lukaj u përgjigj se kjo nuk kishte ndodhur.
“Tek ne asnjëherë nuk është paraqitur e rrezikuar. Ajo ka qenë në polici, e kemi monitoruar rastin, e kemi kryer procedurën që na përket neve”, deklaroi drejtoresha.
Kica-Xhelili ngriti gjithashtu problemet me plotësimin e formularit 003, ku në rubrikën që kërkonte informacion nëse Jeton Sylaj kishte kryer ndonjë vepër penale, mungonte përgjigjja, qoftë pozitive apo negative. Lukaj tha se kjo mund të kishte ndodhur për shkak të vetë formës së formularit.
Në fund, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, e pyeti drejtoreshën nëse kishte pasur ndërhyrje politike, institucionale apo nga bizneset në punën e QPS-së për këtë rast. Lukaj e mohoi kategorikisht një mundësi të tillë.
“Absolutisht jo”, u përgjigj ajo.
Pas dëshmisë së drejtoreshës së QPS-së, para Komisionit pritet të intervistohet kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

