Ristrukturohet Teuta, Edmond Jazexhi merr një pozicion të ri


Pas një kontributi të madh në sportin e volejbollit dhe në veçanti te ekipi i Teutës, trajneri Edmond Jazexhi merr një pozicion të ri në strukturat e klubit.
Trajneri i suksesshëm është emëruar Drejtor Sportiv i ekipit të volejbollit të femrave, ndërsa do të mbajë gjithashtu rolin e Këshilltarit pranë Klubit Shumësportësh Teuta për çështjet e volejbollit.
Ky ndryshim vjen në kuadër të riorganizimit të ekipit dhe forcimit të çdo hallke të strukturës sportive, me synimin për të ndërtuar një ekip konkurrues në të gjitha nivelet, jo vetëm në ekipin e parë, por edhe në formimin dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Pas kontributit të tij si trajner i parë i ekipit të volejbollit të femrave, Edmond Jazexhi do të marrë përsipër një detyrë të re, me përgjegjësi më të mëdha dhe sfida të tjera.
Eksperienca e tij e gjatë, përkushtimi dhe njohuritë në sportin e volejbollit do të jenë një vlerë e shtuar për Teutën, duke ndihmuar në zhvillimin dhe ecurinë e mëtejshme të ekipit.
360grade.al



















