Projektligji i ri “Për ushqimin”/ Hiqet sistemi aktual i licencimit, vendoset regjistrimi i stabilimenteve dhe Komisioni i Pavarur për Vlerësimin e Riskut
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hartuar projektligjin e ri “Për ushqimin”, i cili synon të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2008 dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me Rregulloren (KE) nr. 178/2002 të Bashkimit Evropian në kuadër të Kapitullit 12 të negociatave për sigurinë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare. Nisma ligjore sjell riorganizimin e plotë të sistemit të sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.
Sipas relacionit shpjegues që shoqëron projektaktin, ndërhyrja diktohet nga nevoja për të tejkaluar fragmentimin e kuadrit aktual dhe për të garantuar “një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe të interesave të konsumatorëve”, duke vendosur përgjegjësinë parësore të sigurisë te vetë operatorët e biznesit ushqimor, ndërsa autoritetet publike verifikojnë zbatimin përmes kontrolleve zyrtare.
Ndarja e vlerësimit shkencor dhe komisionet e reja
Një nga risitë themelore të projektligjit është sistemimi i analizës së riskut përmes ndarjes funksionale ndërmjet vlerësimit shkencor dhe menaxhimit rregullator. Për këtë qëllim ngrihen dy struktura të posaçme kolegjiale.
Komisioni i Përhershëm për Vlerësimin e Riskut (KPVR)
Një organ shkencor i përhershëm prej 7 anëtarësh me përvojë të provuar, i cili do të funksionojë në mënyrë të pavarur nga strukturat ekzekutive dhe do të publikojë opinione e raporte shkencore mbi sigurinë ushqimore, duke zbatuar edhe parimin parandalues kur ekziston pasiguri shkencore.
Komisioni për Autorizimin për Vendosjen në Treg të Produkteve
Një trupë prej 5 anëtarësh që do të shqyrtojë dhe autorizojë paraprakisht kategoritë e veçanta, ku përfshihen ushqimet e reja, aditivët, enzimat, aromatizuesit dhe produktet që përmbajnë apo prodhohen nga organizma të modifikuar gjenetikisht (OMGJ), duke garantuar që ato të dalin në treg vetëm pasi të vërtetohet siguria e tyre.
Nga licencimi te regjistrimi i stabilimenteve dhe gjurmueshmëria
Projektligji heq dorë nga sistemi aktual i licencimit të operatorëve, duke kaluar në një sistem evropian të bazuar në regjistrimin e detyrueshëm të stabilimenteve dhe miratimin paraprak të atyre që prodhojnë produkte me origjinë shtazore. Relacioni sqaron se ky ndryshim “synon të garantojë zbatimin e kërkesave të sigurisë ushqimore, pa krijuar barriera administrative të panevojshme për operatorët ekonomikë”, duke parashikuar edhe rregulla fleksibiliteti për prodhuesit e vegjël apo kushtet e veçanta të prodhimit, pa cenuar objektivat e sigurisë.
Për të garantuar kontrollin përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, ligji konsolidon detyrimin e operatorëve për zbatimin e sistemit të vetëkontrollit HACCP, etiketimin e saktë që shmang mashtrimin e konsumatorit, si dhe mekanizmat e gjurmueshmërisë, tërheqjes nga tregu dhe rikthimit të produkteve të pasigurta nga konsumatorët në rast incidentesh.
Rrjeti i njoftimit të shpejtë dhe Njësia e Krizës
Përballë risqeve serioze që mund të kërcënojnë shëndetin publik, projektligji krijon sistemin kombëtar të njoftimit të shpejtë, i cili do të shkëmbejë informacion në kohë reale mes institucioneve vendase dhe sistemeve ndërkombëtare. Po ashtu, parashikohet hartimi i një plani të përgjithshëm të menaxhimit të krizave dhe ngritja e një Njësie Krize në rast emergjencash ushqimore me përmasa të mëdha.
Afati i zbatimit dhe kostoja buxhetore
Zbatimi i ligjit do të mbikëqyret nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pa shtuar numrin e punonjësve në organikat ekzistuese. Për periudhën 2027–2029, efektet financiare për shpërblimin e anëtarëve të dy komisioneve shkencore dhe sigurimin e ekspertizës së specializuar vlerësohen në total deri në 5,81 milionë lekë (1 milion lekë në vitin 2027, 2,23 milionë lekë në 2028 dhe 2,58 milionë lekë në 2029), të cilat do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



