VIDEO/ Buxheti 2027, Tomorri: Paratë shkojnë për të mbushur gropat e projekteve të dështuara të Ramës

18:50, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka kritikuar shpërndarjen e fondeve në buxhetin e ri, duke deklaruar se rritja e shpenzimeve buxhetore shkon kryesisht për bonuset e pensionistëve dhe investimet publike, ndërsa këto të fundit janë kthyer në gropa të mëdha financiare për shkak të rritjes së pakontrolluar të kostove.

Sipas Tomorrit, fondi për pensionistët, duke përfshirë bonuset dhe indeksimin, arrin në rreth 300 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e rritjes së buxhetit shkon për investimet publike, kryesisht për projektet e mëdha infrastrukturore.

Gazetari u ndal veçanërisht te Korridori VIII dhe aksi Elbasan-Qafë Thanë, ku kostot kanë dalë jashtë kontrollit. Sipas tij, vetëm në segmentet ku kanë nisur punimet janë shtuar mbi 100 milionë euro, ndërsa projekti në tërësi pritet të kalojë 750 milionë euro.

Sipas gazetarit, ndryshe nga vitet e para të qeverisjes së Edi Ramës, kur rritja e kostove të rrugëve justifikohej me projektet e trashëguara nga qeveria e mëparshme, tashmë bëhet fjalë për investime të projektuara dhe nisura nga vetë qeveria aktuale.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si qeveria prezanton buxhetin prej 10 miliardë eurosh si buxhetin më të madh historik, duke argumentuar se qytetarët duhet të dinë se ku përfundojnë realisht paratë publike.

‘Buxheti, po ta shohësh në terma strikt të shifrave, e gjithë rritja e buxhetit që vjen me vitin aktual shkon kryesisht në dy kategori: pensionistët, të cilët marrin diçka përmes një bonusi prej rreth 20 miliardë lekësh, dhe investimet publike. Bashkë me indeksimin, fondi për pensionistët shkon në rreth 300 milionë euro.

Pjesa tjetër shkon për investimet publike. Bëhet fjalë për projektet e mëdha të nisura, të cilat janë kthyer kryesisht në gropa buxhetore, si rruga Elbasan-Lekaj dhe rruga Elbasan-Qafë Thanë. I famshmi Korridori VIII. Kostot e Korridorit VIII kanë dalë jashtë çdo kontrolli dhe, deri tani, vetëm në segmentet ku është punuar, kemi mbi 100 milionë euro shtesë. Bëhet fjalë për një projekt që do të shkojë në mbi 750 milionë euro në total.

Pra, këta hapin investime për të cilat nuk kanë më asnjë kontroll mbi kostot, por vetëm shtojnë, shtojnë, shtojnë. Po t'i shikosh të gjitha segmentet e asaj rruge, pra flasim gjithmonë për Elbasan-Qafë Thanë, përveçse kanë përfituar rritjen prej 20% të vlerës së prokuruar, sepse kanë një ligj që lejon shtimin deri në 20% të vlerës së kontratës për një segment të prokuruar me vlerën X, do të hedhin edhe para të tjera për të.

Nëse e mbani mend, Edi Rama, në vitet e para të qeverisjes, kur nisi këtë histori me kostot e çmendura të rrugëve, kishte një argument ku mbështetej: bëhet fjalë për projekte skandaloze që na i ka lënë qeveria e mëparshme.

Por sot jemi në kushtet kur këto projekte janë hartuar dhe nisur të gjitha nga këta. Pra, kemi investime që ribëhen, projekte të hartuara gabim, kosto që rriten dyfish e trefish, rrugë dhe ura që shemben. Kur qytetarët dëgjojnë shifrën se ky është buxheti më i madh historik, prej 10 miliardë eurosh, dhe tonin sugjestionues me të cilin përpiqet ta shesë qeveria, duhet të dinë se paratë do të shkojnë në gropat që ka hapur vetë qeveria dhe në projekte pa tavan kostoje, të cilat nisen me 1 lek dhe përfundojnë me 7 lekë.

Çfarë rishpërndan? Përveç pensioneve, të cilat edhe aty i trajtojmë me hile, sepse nuk bëjmë rritje mujore të pensionit...

Jo, jo, rritje të mirëfilltë të pensionit. E bëjmë me bonus, sepse bonusi ka këtë karakteristikë: po të dojë qeveria, ta jep vitin tjetër, po nuk deshi, nuk ta jep. Në vit zgjedhjesh ta jep, në vit normal nuk ta jep. Gjithçka varet nga temperatura publike.

Pensionet në Shqipëri janë në nivele skandaloze edhe sipas fuqisë blerëse. Janë dy deri në tri herë më të ulëta se në vendet e ngjashme të rajonit. Nuk po flas për vendet e Bashkimit Europian, por për vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova apo Serbia. Pra, kjo shifra prej 20 miliardë lekësh, me të cilën thonë se dyfishojnë rritjen, është gjithashtu një mënyrë për ta paraqitur me hile, sepse dyfishohet bonusi, ndërsa pensioni mbetet po ai. Pensionisti shqiptar do të marrë sërish dy apo tri herë më pak se bashkëmoshatarët e tij në vendet fqinje. Dhe, nëse nuk do të mbështetet nga fëmijët, të afërmit apo dikush tjetër, sigurisht që me ato pensione nuk arrin të përballojë as shpenzimet për ilaçe.

Shiko, së pari duhet të sqarojmë një gjë. Këto historitë me taksimin e ujit të pishinave, taksimin e apartamenteve bosh e të tjera si këto, janë populizëm, sepse nuk janë pjesë e paketës aktuale. Ato ndoshta do të vijnë më vonë. Por edhe kur të vijnë, janë masa boshe, sepse nuk sjellin të ardhura të konsiderueshme dhe nuk rishpërndajnë në atë mënyrë siç duan ta shesin.

Po, këto masa kënaqin mllefin e publikut: ‘Atij që ka pishinë, t'ia shohësh’, ‘Atij që ka shtëpi të dytë, mirë t'ia bëjnë, t'ia marrin paratë’. Por janë masa që nuk sjellin rishpërndarje reale. Efekti i tyre është minimal, për të mos thënë zero, sepse bëhet fjalë për taksa me shkallë të lartë shmangieje.

Në fund të fundit, çfarë quhet apartament bosh? Po sikur unë të shkoj në atë apartament vetëm gjatë fundjavave? Ose sikur ta nxjerr vetëm një ditë në vit në Airbnb? Dhe ju e dini që këtë vit nuk kanë dalë të dhënat për ata që nuk konsumojnë energji elektrike, të cilat duhet të publikohen çdo vit.’, u shpreh gazetari Klodian Tomorri në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco