Kostoja rezulton pengesa kryesore për qytetarët që të ndërmarrin më shumë veprime në favor të mjedisit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të RCC.
Kosova kryeson me 43% të të anketuarve që e identifikojnë koston si faktor kufizues, e ndjekur nga Mali i Zi me 39%, Bosnja dhe Hercegovina me 33% dhe Shqipëria me 27%.
Në Shqipëri, 27% e qytetarëve deklarojnë se kostoja i pengon të adoptojnë sjellje më ekologjike, ndërsa 22% përmendin mungesën e informacionit. 15% e të anketuarve identifikojnë mungesën e alternativave si pengesë, ndërsa 7% thonë se vështirësia apo parehatia që shoqëron këto ndryshime ndikon në zgjedhjet e tyre.
Të dhënat tregojnë se edhe në vendet e tjera të rajonit, kostoja mbetet një faktor i rëndësishëm, por pesha e saj ndryshon. Në Maqedoninë e Veriut, 21% e qytetarëve e identifikojnë koston si pengesë, ndërsa në Serbi 27% dhe në grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në 32%.
Ndërkohë, mungesa e alternativave është veçanërisht e dukshme në Kosovë, ku 25% e të anketuarve e konsiderojnë këtë faktor pengues, si dhe në Maqedoninë e Veriut, arrin në 23%. Në Shqipëri, kjo pengesë përmendet nga 15% e qytetarëve, duke sugjeruar se jo vetëm çmimi, por edhe disponueshmëria e zgjedhjeve më të qëndrueshme ndikon në mënyrën se si individët mund të ndryshojnë sjelljen e tyre.












