Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin e vitit 2027 gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e cilësuar atë si një buxhet që rëndon qytetarët dhe favorizon korrupsionin.

Blushi deklaroi se, pavarësisht parashikimit për 10 miliardë euro shpenzime, borxhi publik prej 16.2 miliardë eurosh i faturon çdo shqiptari, përfshirë edhe foshnjat e porsalindura, rreth 8,100 euro detyrime. Ai akuzoi qeverinë se nuk ka vendosur në prioritet arsimin, shëndetësinë, pensionet dhe bujqësinë, ndërsa kundërshtoi edhe ndryshimet e propozuara në skemën e TVSH-së, që sipas tij prekin rreth 17,500 biznese të vogla.

Gjatë fjalës, deputeti ngriti shqetësimin për varfërinë, shpopullimin dhe mungesën e mbështetjes për familjet e reja. Blushi e mbylli fjalën me akuza ndaj qeverisë për keqadministrim të fondeve publike dhe korrupsion, duke e cilësuar projektbuxhetin si një faturë që shqiptarët detyrohen të paguajnë për dështimet e qeverisjes.

Fjala e deputetit të Partisë së Lirisë Tedi Blushi në Kuvend

Të nderuar kolegë!

Sot po flasim për një buxhet që planifikon 10 miliard euro shpenzime por që mbart 16,2 miliard euro borxhe, që do të thotë se çdo shqiptar, nga foshnja e porsalindur te pensionisti, faturohen me 8,100 euro borxh mbi supe, ose rreth 32,000 euro borxh për çdo familje me katër anëtarë.

Pra ky buxhet nuk po rritet për t’i bërë shqiptarët më të pasur, por po fryhet për t’i detyruar shqiptarët të paguajnë faturën e pamerituar të korrupsionit të Edi Ramës.

Sot, po flasim për dy Shqipëri. Një që ju shihni ju nga vilat tuaja, nga zyrat dhe makinat tuaj luksoze dhe një Shqipëri krejt tjetër, të varfër, të mjerë ku qytetarët numërojnë kafshatat e gojës dhe luten çdo ditë të kenë shëndet sepse t’u përmendësh spitalin dhe faturën e papërballueshme të ilaçeve është njësoj si t’i mallkosh e t’i dënosh deri edhe me vdekje siç keni bërë me Spitalin Onkologjik.

Ngaqë Shqipëria e vërtetë nuk po lulëzon, por po zbrazet, po mpaket dhe po thahet të rinjtë prej muajsh janë ngritur në protestë kundër një qeverie që ua ka vjedhur edhe shpresën!

Po çfarë përgjigjeje jepni ju për ta në buxhetin 2027?

Për arsimin vetëm 2.5% të PBB-së!

Keni premtuar 5%. Sot, pas 14 vitesh në pushtet jepni gjysmën e objektivit!

Dhe pastaj flisni për Shqipërinë europiane të së ardhmes!

Ju që në krye të djepit të një foshnjeje të porsalindur vendosni faturën e një borxhi prej 8,100 eurosh, ndërkohë që si mbështetje për ardhjen e saj në jetë ofroni vetëm 400 euro bonus për fëmijën e parë dhe 800 euro për fëmijën e dytë.

Ndërkohë, Serbia mbështet lindshmërinë me 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe 27,000 euro për fëmijën e katërt.

Ky është kontrasti që flet më shumë se çdo propagandë për prioritetet e këtij buxheti, në vend që të mbështesë familjet e reja, të nxisë lindshmërinë dhe të luftojë shpopullimin, ai e thellon edhe më tej këtë plagë kombëtare.

Një foshnjeje shqiptare i ofroni një mbështetje qesharake, ndërsa i ngarkoni që në ditën e parë të jetës një faturë borxhi rreth 20 herë më të madhe se bonusi për lindjen e saj.

Ky nuk është buxhet që investon te jeta, te familja dhe te e ardhmja. Është buxhet që i kthen të porsalindurit në debitorë që në ditën e parë të jetës!

Vetëm 2.9% e PBB-së për shëndetësinë, ndërkohë që dikur premtuat 5%.

Një familje që përballet me sëmundjen e një prindi nuk pyet sa miliard euro e keni rritur buxhetin në letër por kur pyet ku do t’i gjejmë paratë për ilaçet?

Sepse në Shqipërinë e vërtetë dhe jo në Shqipërinë e “Diellës”, edhe për të bërë një serum, duhet të paguash 10 mijë lekë të vjetra.

Imagjinoni pastaj çfarë fature të pret për një ndërhyrje kirurgjikale apo për trajtimin e një tumori!

Një pensionist që pret në radhë në spital nuk pyet sa miliardë euro ka buxheti i shtetit. Ai pyet nëse do të marrë shërbimin që i takon, nëse do të gjejë ilaçet që i duhen dhe nëse vitin e ardhshëm do të ketë mundësi të paguajë më pak për to.

Ju e keni kthyer shëndetin nga një e drejtë themelore në një barrë financiare për familjet shqiptare!

Të ndalemi te pensionet.

Sot, një pensionisti shqiptar i duhen edhe 100 vite të tjera jetë për të arritur nivelin e pensionit mesatar në vendet e Bashkimit Europian, nëse pensionet në Europë nuk do të rriteshin më as edhe me një cent!

Ky është realiteti që keni ndërtuar pas 13 vitesh qeverisje.

Të shohim edhe fermerin shqiptar!

5.3 miliardë lekë subvencione për bujqësinë! Kaq është mbështetja që i jepni këtij sektori jetik për ekonominë e vendit, ndërkohë që 50 milion euro Edi Rama dhe Belinda Balluku i vodhën vetëm në Tunelin e Llogarasë.

Sot Shqipëria eksporton 30% më pak, ndërkohë që Serbia ka rritur eksportet bujqësore me rreth një të tretën.

Dhe çfarë ndodh në Shqipëri? Importojmë miell serb, qumësht serb, madje edhe ushqim për blegtorinë nga Serbia. Një vend me tokë pjellore, me klimë dhe potencial bujqësor, që po bëhet gjithnjë e më i varur nga prodhimi i vendeve të tjera.

Kjo është arsyeja pse toka mbetet djerrë, pse të rinjtë largohen nga fshati, pse fermat mbyllen dhe pse prodhimi vendas tkurret!

Ju flisni për bujqësi, por nuk mbështesni fermerin; flisni për prodhim vendas, por tregu mbushet me importe, flisni për fonde për zhvillim, ndërkohë që vidhni edhe fondet IPARD. Rreth 320 milion euro ndihma të mohuara për shkak të babëzisë tuaj të shfrenuar.

Të ndalemi te një nga goditjet më të rënda të këtij projektbuxheti: biznesi i vogël.

Rreth 17.500 biznese të vogla preken nga ulja e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Këto nuk janë numra në një tabelë.

Janë 17.500 histori pune, sakrifice dhe mbijetese!

Janë dyqane lagjesh, familje që kanë investuar kursimet, njerëz që kanë hapur një aktivitet për të mos pritur ndihmë nga shteti, por për të siguruar bukën me punën e tyre.

Dhe ju çfarë bëni?

Në vend që t’ua lehtësoni jetën, ua shtoni barrën!

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, propozoni edhe rritjen e TVSH-së së përgjithshme nga 20% në 21%.

Njëra dorë bën propagandë me uljen e TVSH-së për ushqimet nga 20% në 6%, ndërsa tjetra rrit TVSH-në për mallrat dhe shërbimet e tjera.

Dhe kush e garanton që ulja e TVSH-së për ushqimet do të përkthehet në ulje reale të çmimeve në dyqan?

Ku është garancia që përfitimi do të shkojë te konsumatori dhe jo të përthithet nga hallkat e zinxhirit tregtar?

Ju i jepni qytetarit një ulje në letër dhe i merrni para nga xhepi në dhjetëra mënyra të tjera!

Faktet janë kokëforta. Shihni rrugëtimin nga dogana te supermarketi të çmimit të produkteve bazë ushqimore.

Mielli është shtrenjtuar në import me 1,4%, por në tregun shqiptar me pakicë është shtrenjtuar 34%.

Qumështi është shtrenjtuar me 3,2% në import, por me 42% në tregun vendas.

Bulmeti është shtrentuar 7,5% në import, por 100% në tregun vendas.

Perimet janë liruar 15%-21% në import,, ndërsa në tregun me pakicë janë shtrenjtuar nga 55% në 92%.

Biznesi i vogël nuk është bankomat i qeverisë dhe as duhet trajtuar si armik ose si valvul shkarkimi për  të mbushur boshllëqet e politikave tuaja të gabuara.

Një biznes i vogël që mbyll qepenin nuk është thjesht një aktivitet më pak në regjistrin e tatimeve. Është një familje pa të ardhura, një punonjës pa pagë, një tjetër njeri që humbet besimin se mund të jetojë me punën e vet në këtë vend.

Dështimi juaj nuk është vetëm ekonomik, por edhe social dhe njerëzor.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025, 19% e popullsisë ishte në rrezik varfërie. 31.2% përjetonte privim të thelluar material dhe social.

Këto nuk janë përqindje por janë njerëz!

Janë fëmijë që nuk kanë mundësi të barabarta. Janë prindër që nuk ia dalin. Janë pensionistë që jetojnë me frikën e faturës së ardhshme.

Dhe përballë këtij realiteti, ju bëni çfarë?

Reduktoni familjet përfituese të ndihmës ekonomike nga 61 mijë në 59 mijë!

Dy mijë familje më pak!

Ku janë këto dy mijë familje? A kanë dalë nga varfëria? A kanë gjetur punë të qëndrueshme? A kanë siguruar të ardhura që u garantojnë një jetë dinjitoze?

Apo thjesht i keni hequr nga lista që të duket sikur keni më pak të varfër?

Varfëria nuk zhduket duke hequr të varfrit nga regjistrat!

Dhe pas 14 buxhetesh shtetërore, Shqipëria ende nuk ka një Minimum Jetik Zyrtar!

Katërmbëdhjetë buxhete dhe nuk keni arritur të përcaktoni me standard ligjor se sa para i duhen një qytetari për të jetuar me dinjitet!

Një qeveri që nuk përcakton dot minimumin e jetesës për qytetarët, nuk ka të drejtë të mburret me maksimumin e buxhetit të saj!

Të nderuar kolegë!

Tani dua të bëjmë një ushtrim të thjeshtë.

Vendosni në njërën anë 10 miliardë eurot që parashikoni të shpenzoni dhe 16,2 miliard euro borxh publik, pa harruar rreth 4 miliard euro të ardhura që nuk i arkëtoni në vit, që vidhen dhe përfundojnë në off-shore, në xhepat e Kryekleptokratit ose nëpër kuti të kuqe si ajo që u zbulua në vilën e Belinda Ballukut.

Pra 4 miliard euro, gati sa gjysma e buxhetit që keni sjellë për miratim që vidhen nga keqadministrimi i qëllimishëm i doganave, e tatimeve dhe evazioni fiskal klientelist.

Ky është thelbi i dështimit tuaj.

Ju nuk e shihni më qytetarin si qëllimin e qeverisjes. E shihni si burim të ardhurash për xhepat tuaj.

Ne nuk kërkojmë një buxhet që të duket i madh në fjalime por një buxhet që të ndihet në tryezën e çdo familjeje!

Nuk kërkojmë një buxhet që të mbushë ekranet, por një buxhet që të mbushë frigoriferët!

Nuk kërkojmë një buxhet që të zbukurojë raportet tuaja, por një buxhet që të financojë shkollat, spitalet dhe bujqësinë!

Nuk kërkojmë lëmoshë për të varfrit. Kërkojmë dinjitet dhe mundësi për të jetuar!

Dhe mbi të gjitha, kërkojmë një shtet që nuk i trajton qytetarët si barrë, por si arsye për të ekzistuar!

Ju mund të keni shumicën në Kuvend, mund të keni kontrollin e propagandës, mund të keni miliardat në buxhet, por nuk mund ta detyroni dot një familje të varfër t’ju besojë pas 13 vitesh në pushtet se vitin e ardhshëm me ju në Qeveri do të jetojë më mirë, kur ende nuk i keni garantuar as ujin e pijshëm, pa lerë më shërbimet e tjera elementare.

Ky nuk është buxheti i shqiptarëve por buxheti që kanë planifikuar të vjedhin hajdutët e shqiptarëve.

Ju, me këtë buxhet, keni dështuar pikërisht aty ku një qeveri nuk duhet të dështojë kurrë, te njeriu!

Faleminderit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb