Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë dhe dënon me forcë dhunën e raportuar ndaj gazetares së SYRI TV, Fjona Çela, gjatë ushtrimit të detyrës së saj profesionale në mbulimin e protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Sipas informacioneve të publikuara, gazetarja është përballur me ndërhyrje të dhunshme nga efektivë të Policisë së Shtetit, përfshirë punonjës me uniformë dhe civilë, ndërkohë që po raportonte nga terreni.
AGSH rikujton se gazetarët kanë të drejtë të raportojnë lirshëm nga protestat dhe ngjarjet me interes publik, pa u penguar, kërcënuar apo dhunuar nga autoritetet shtetërore.
"Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor dhe profesional jo vetëm të respektojë këtë të drejtë, por edhe të garantojë sigurinë e punonjësve të medias gjatë ushtrimit të detyrës' thuhet në deklaratë.
Asociacioni kërkon nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit identifikimin e menjëhershëm të efektivëve të përfshirë në këtë incident, sqarimin publik të rrethanave dhe marrjen e masave përkatëse. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të nisë verifikimet përkatëse dhe të garantojë një hetim të pavarur dhe transparent.
'Dhuna ndaj gazetarëve nuk mund të normalizohet dhe as të justifikohet me nevojën për ruajtjen e rendit publik. Çdo ndërhyrje policore duhet të jetë e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale, duke respektuar lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t'u informuar'.
AGSH shpreh solidaritetin e plotë me gazetaren Fjona Çela dhe të gjithë gazetarët që raportojnë nga terreni, duke ritheksuar se siguria e tyre është një detyrim i autoriteteve shtetërore dhe një kusht themelor për funksionimin e një shoqërie demokratike.
© SYRI.net