Dy javë pasi kishte marrë detyrën si drejtor ekzekutiv i Deutsche Bank, Christian Sewing mori një email nga një koleg, i cili paralajmëronte për një “rrëmujë totale”.
Banka më e madhe e Gjermanisë kishte dështuar të largonte 28 mijë klientë problematikë nga banka e saj e investimeve dhe u kishte pranuar rregullatorëve se, në fakt, po “operonte jashtë ligjit dhe rendit”.
Sewing, një drejtues karriere brenda bankës, i cili kishte premtuar ta pastronte institucionin pas një sërë skandalesh, e përmblodhi vetë episodin me një fjalë të prerë: “Katastrofë”.
Më shumë se tetë vjet më vonë, 56-vjeçari vazhdon të jetë në krye të bankës dhe është vlerësuar për një ristrukturim rrënjësor, i cili riktheu fitimet e Deutsche Bank dhe rriti çmimin e aksioneve të saj.
Por një koleksion prej më shumë se 15 milionë dokumentesh të rrjedhura, përfshirë shkëmbimin e email-eve të prillit 2018, zbulon procese me mangësi dhe paaftësi organizative.
Deutsche Bank, e cila për një periudhë të shkurtër ishte banka më e madhe në botë për nga asetet përpara krizës financiare, mbetet një emër me peshë, si institucioni kryesor financiar i ekonomisë më të madhe të BE-së dhe një nga bankat me lidhjet më të forta politike në kontinent. Me 90 mijë punonjës që operojnë në 55 vende, ajo është më e madhe se dy bankat e dyta dhe të tretat më të mëdha të Gjermanisë të marra së bashku.
Dokumentet e analizuara nga Financial Times (FT), së bashku me më shumë se 200 gazetarë nga media të tjera, përfshirë Der Spiegel, Le Monde dhe Paper Trail Media, tregojnë problemet që fshiheshin nën sipërfaqe, edhe kur Sewing po drejtonte rikthimin e bankës nga skandalet, gjobat dhe periudha e rënies së çmimit të aksioneve.
Ndërsa imazhi publik i drejtorit ekzekutiv është ai i një drejtuesi të kujdesshëm ndaj rreziqeve, që ka kaluar gjithë karrierën në kompani, ka ulur kostot dhe ka zvogëluar ambiciet e Deutsche Bank, në emailet e brendshme ai shfaqet ndryshe: herë pas here duke e nxitur bankën të merrte më shumë rreziqe dhe duke u përpjekur t’ua kalonte vartësve përgjegjësinë për çështjet që lidheshin me rregullatorët.
Dokumentet nxjerrin gjithashtu në pah mangësitë e Deutsche Bank në trajtimin e klientëve me rrezik të lartë. Ato tregojnë se banka përdori rrugë të shkurtra në procesin e kthesës së vitit 2019 dhe vendosi t’i mbante aksionarët në errësirë lidhur me problemet që preknin llogaritë e kompanisë. Ajo gjithashtu menaxhoi në mënyrë të gabuar transaksione që përfshinin miliarda euro.
Dosjet hedhin dritë mbi dobësitë e qeverisjes së një institucioni financiar me rëndësi sistemike, i cili që nga viti 2012 ka paguar të paktën 18.6 miliardë euro për të zgjidhur çështje gjyqësore dhe masa të ndërmarra nga rregullatorët.
Deutsche Bank këmbëngul se i ka rregulluar problemet e së kaluarës. “Sot jemi një bankë ndryshe”, thuhet në një deklaratë të institucionit. “Nën drejtimin e Christian Sewing, Deutsche Bank ka kaluar një transformim thelbësor.” Banka shton se ka investuar 7 miliardë euro në funksione kontrolli, si pajtueshmëria me rregullat dhe lufta kundër pastrimit të parave, gjatë periudhës 2019–2025, ndërsa numri i punonjësve në këto pozicione është rritur me 26 për qind në tre vitet deri në vitin 2022.
Banka thotë gjithashtu se ka “forcuar” qasjen e saj për “identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve” dhe se ka pësuar një “ndryshim thelbësor” në kulturën e saj organizative. “Përparimi ynë është njohur nga tregu, rregullatorët kryesorë dhe autoritetet mbikëqyrëse, si dhe nga klientët dhe palët e tjera të interesuara”, deklaron Deutsche Bank. “Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar përmirësime të vazhdueshme të sistemit tonë të kontrollit dhe një kulturë integriteti.”
Në kërkim të biznesit
Kur Sewing u bë drejtori i pestë ekzekutiv i Deutsche Bank brenda gjashtë vitesh, ai zhvilloi një bisedë telefonike me Friedrich Merz, kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Pas bisedës, Sewing paralajmëroi bashkëpunëtorët e tij të besuar se banka ishte në “goditjen e fundit”.
Sewing u tha atyre se Merz, në atë kohë kryetar joekzekutiv i degës gjermane të BlackRock, një prej aksionarëve më të mëdhenj të Deutsche Bank, kishte argumentuar “me një gjuhë jashtëzakonisht të fortë” se ishte “në interesin kombëtar” transformimi i bankës në vështirësi në një “lojtar kryesor”.
Pyetja ishte se si mund të arrihej kjo. Në mbledhjen e tij të parë vjetore me aksionarët, në maj 2018, Sewing pranoi problemet e kahershme me rregullatorët dhe menaxhimin e rrezikut. Ai premtoi se do ta drejtonte Deutsche Bank “në të mirë të shoqërisë” dhe do ta bënte atë “pak më të mërzitshme”.
Brenda bankës, toni i Sewing ishte ndryshe. “Kam ndjesinë se edhe mjedisi i kontrollit që krijuam ka humbur disi ekuilibrin”, i shkroi ai një kolegu një javë pas mbledhjes së aksionarëve, duke shtuar se kjo ishte “gjithashtu faji im”.
Sewing tha se kishte vënë re një “mungesë kontrolli” në Deutsche Bank kur drejtonte njësinë globale të auditimit të saj në vitet 2013 dhe 2014. “Tani lavjerrësi është lëkundur shumë fort drejt zonës së ‘110 për qind kontroll’”, argumentoi ai. “Duhet të reduktojmë” numrin e “njerëzve dhe komiteteve që drejtojnë të gjitha llojet e hetimeve dhe çështjeve të tjera”, ndërkohë që duhet të veprojmë në një mënyrë të “mbrojtshme”, për të shmangur irritimin e rregullatorëve.
Komunikimet e brendshme shkaktuan pothuajse menjëherë probleme. Pak pasi Sewing mori drejtimin e bankës, Banka Qendrore Evropiane (BQE), mbikëqyrësi më i rëndësishëm bankar i Evropës, i kërkoi Deutsche Bank shpjegime lidhur me një fjalim që ai kishte mbajtur para drejtuesve të lartë të institucionit dhe që ishte raportuar në media.
Sewing u kishte thënë kolegëve të tij që të ishin më agresivë, të shikonin nga e kaluara e bankës dhe “të kishin atë uri, të luftonin për të siguruar biznes”. Kjo retorikë e “mentalitetit të gjuetarit” pasqyronte kulturën agresive që e kishte futur Deutsche në telashe. Stafi i BQE-së kërkoi një transkript të fjalimit.
Emailet e brendshme tregojnë se drejtuesit ishin të shqetësuar se fjalimi “do të bëhej një temë që BQE-ja do ta nxirrte nga konteksti”. Vërejtjet e plota të Sewing treguan se ai u kishte kërkuar punonjësve të respektonin kufijtë e rrezikut, por gjithashtu të mos frikësoheshin nga departamenti i pajtueshmërisë: “Mos hiqni dorë shumë herët”, kishte thënë ai.
Deutsche thotë se, kur vërejtjet shihen në kontekstin e tyre, është “shumë e qartë” se Sewing “ka mbrojtur marrjen seriozisht të kontrolleve dhe menaxhimit të rrezikut, si dhe respektimin e tyre si kufij për aktivitetin e biznesit”.
Megjithatë, në vitin 2021, tre vjet pasi Sewing mori drejtimin e bankës, dy avokatë të emëruar nga mbikëqyrësi financiar i Nju Jorkut si monitorues të jashtëm të bankës, Lee Wolosky dhe Dawn Smalls, paralajmëruan se institucioni financiar vazhdonte të “ndiqte rreziqe që tejkalonin kapacitetin e sistemit të tij të kontrollit”.
Ata shtuan se kjo “mund të shkaktonte probleme të konsiderueshme afatgjata”, pasi kontrollet ishin “të papërshtatshme për të trajtuar në mënyrë të mjaftueshme rreziqet e natyrshme në strategjinë e rritjes së Bankës”.
Dosjet e rrjedhura tregojnë gjithashtu se Sewing nuk e mirëpriti vëmendjen e rregullatorëve gjatë viteve të para si drejtor ekzekutiv.
Në vitin 2019, BaFin, rregullatori financiar i Gjermanisë, këmbëngulte që anëtarët e bordit drejtues të mbanin përgjegjësi personale për korrigjimin e disa mangësive. Kur Sewing u identifikua në terminologjinë rregullatore si drejtuesi me “përgjegjësinë kryesore” për gjashtë nga tetë mangësitë më urgjente të evidentuara nga BaFin, ai shprehu pakënaqësinë në një email: “Vërtet nuk arrij ta kuptoj pse zë një vend kaq të spikatur në këtë çështje”.
“Mendova se kishim rënë dakord […] që do të përpiqeshim të më mbanim sa më shumë jashtë kësaj çështjeje”, tha Sewing. Plani aktual nënkuptonte “shumë më tepër përgjegjësi” dhe “përfshirje” nga sa kishte pritur, shtoi ai.
Frank Kuhnke, drejtori i atëhershëm operativ, i cili më parë e kishte paralajmëruar Sewing për “katrahurën”, argumentoi se shefi i tij “si drejtor ekzekutiv ka nevojë për mbrojtje (edhe nga shtypi)”. Kundërshtime të tilla nuk patën sukses. Pavarësisht ankesës së tij, Sewing mbeti anëtari i bordit përgjegjës për trajtimin e mangësive.
Deutsche tha se mesazhet e bënin të qartë se Sewing thjesht “po pyeste veten nëse do të kishte kapacitet të mjaftueshëm” për t’u marrë me këto çështje “krahas përgjegjësive të tjera të shumta”.

Sewing dhe James von Moltke – në atë kohë drejtor financiar i Deutsche-s – nga e majta në të djathtë, gjatë konferencës për shtyp mbi rezultatet vjetore të bankës në Frankfurt, në muajin janar.
Shqetësimet për klientët
Në kohën kur Kuhnke dha paralajmërimin e tij, kriza e bankës lidhur me verifikimin e klientëve ishte krijuar prej vitesh. Në përpjekjen për t’u rritur me shpejtësi, Deutsche kishte bërë shumë pak pyetje kur klientë të rinj trokitnin në dyert e saj.
Puna në departamentin e pajtueshmërisë për zbatimin e procedurave “njih klientin tënd” — ose KYC — përqeshej brenda bankës si “vrasëse e karrierës”.
Dokumentet e brendshme tregojnë se, për tre vjet me radhë, nga viti 2015, auditori i Deutsche, KPMG, arriti vazhdimisht në përfundimin se të dhënat e bankës së investimeve për klientët ishin “të mangëta” — një vlerësim “F4”, niveli më i keq i mundshëm.
Atë vit, hetuesit amerikanë dhe britanikë zbuluan një skandal të përmasave të mëdha të pastrimit të parave, ku përdoreshin të ashtuquajturat “transaksione pasqyrë”. Klientë rusë kishin kryer njëkohësisht transaksione me aksione për të fshehur transferimin e 10 miliardë dollarëve jashtë vendit të tyre. Deutsche më vonë pagoi 630 milionë dollarë për të zgjidhur çështjen.
Kur BaFin u ankua për cilësinë e të dhënave të bankës mbi klientët, Deutsche premtoi vazhdimisht se do ta zgjidhte problemin deri në fund të vitit 2017.
Kur banka nuk arriti ta përmbushte këtë afat, si dhe zgjatjen prej 90 ditësh, BaFin ndërmori një hap të paprecedentë. Ajo caktoi KPMG-në si monitorues të jashtëm, krahas rolit që kjo kompani kishte atëherë si audituese e Deutsche. Kompania e njohur si një nga katër firmat më të mëdha të auditimit në botë shqyrtoi kontrollet e Deutsche për gjashtë vjet.
Pas më shumë se një viti në këtë rol, KPMG i tha Norbert Winkeljohann, kreut të komitetit të auditimit të bordit mbikëqyrës, se “banka kishte dështuar të përmbushte detyrimet” dhe se thjesht kishte “shuar zjarret” pa e zgjidhur problemin në themel. Winkeljohann e paralajmëroi Sewing se ekzistonte “një nevojë urgjente për të vepruar”.
Banka këmbëngul se korrigjimi i mangësive në verifikimin e klientëve të saj ishte “përfunduar në masë të madhe” në vitin 2024, kur përfundoi mandati i KPMG-së si monitoruese e jashtme.
Banka thotë se ka forcuar kuadrin e saj KYC dhe se ka “integruar punën për korrigjimin e mangësive” — një referencë kjo për ndreqjen e gabimeve të së kaluarës — “në proceset e qëndrueshme të përditshme të biznesit”. Banka shton se të gjitha këto masa janë shqyrtuar nga afër përmes kontrolleve të pavarura dhe nga autoritetet mbikëqyrëse.
Deutsche, e cila dikur kishte marrëdhënie biznesi me Jeffrey Epstein, të dënuarin për krime seksuale, ka luftuar prej kohësh me dilemën nëse duhet të pranojë klientë potencialisht të rrezikshëm dhe sa para duhet t’u japë hua atyre.
Kur Sewing u përfshi në vendimmarrje të tilla, ai nuk mbështeti gjithmonë qëndrimin e punonjësve të brendshëm që mbronin kujdesin dhe shmangien e rrezikut. Në vitin 2015, zyrtarët e Deutsche-s kundër krimit financiar ngritën pikëpyetje për 16 milionë dollarë pagesa të dyshimta nga llogari offshore drejt një gjermani të pasur, me lidhje të shumta biznesi me oligarkë rusë.
Ata paraqitën në Gjermani një raport për aktivitet të dyshimtë (i njohur si SAR) dhe vendosën të mbyllnin llogarinë e klientit.
Dokumentet e rrjedhura tregojnë se klienti u tërbua. Në vitin 2016, ai siguroi një takim me Sewing, i cili në atë kohë ishte përgjegjës për bankimin me pakicë dhe menaxhimin e pasurisë, si dhe me bankierë të tjerë. Sipas procesverbalit të brendshëm, drejtuesit e Deutsche-s paraqitën shqetësimet e bankës lidhur me pastrimin e parave.
Procesverbali nuk tregon nëse raporti SAR u përmend apo jo, por takimi ngre pikëpyetje nëse banka shkeli rregullat gjermane duke i zbuluar klientit më shumë informacion nga sa lejohej, pasi kishte sinjalizuar tek autoritetet një transaksion potencialisht të dyshimtë.
“Nëse pagesa të caktuara diskutohen shprehimisht si shqetësime në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, klienti e kupton se këto transaksione janë nën hetim dhe banka është e detyruar të paraqesë një raport SAR”, thotë Holger Pauco-Dirscherl, një ish-drejtues i lartë i pajtueshmërisë në sektorin bankar, i cili tani këshillon institucionet financiare. “Siç përshkruhet, ky rast do të përfshihej në ndalimin e paralajmërimit të klientit”, shton ai, duke iu referuar ndalimit të njoftimit të klientit për një raport SAR ose për një hetim.
Deutsche tha: “T’i kërkosh një klienti informacion për të përmbushur kërkesat e verifikimit të kujdesit të duhur ndaj klientit nuk përbën, në vetvete, paralajmërim të palejuar. Dallimi përkatës qëndron mes kërkimit të informacionit për këto kontrolle dhe zbulimit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të ekzistencës së një raporti për aktivitet të dyshimtë apo të një hetimi të lidhur me të”.
Prokurorët gjermanë nuk nisën hetim për pagesat.
Pasi dëgjoi shpjegimin e klientit se pagesat në fjalë ishin tipike për punën këshilluese dhe pasi punonjësit e Deutsche-s shqyrtuan kontratat përkatëse, Sewing kërkoi falje dhe banka e anuloi vendimin për të ndërprerë marrëdhënien me klientin.
Ky ishte një tjetër goditje për punonjësit e departamentit kundër krimit financiar, të cilët që nga viti 2014 kanë pasur shtatë drejtues departamenti dhe pesë anëtarë të ndryshëm të bordit përgjegjës për njësinë e tyre. Pak pasi mori detyrën në vitin 2019, njëri prej drejtuesve të departamentit zhvilloi një takim me një rregullator, i cili renditi 19 mangësi, i cilësoi kontrollet e bankës si “një rrëmujë të plotë” dhe pyeti se cili drejtues i Deutsche-s “do të dërgohej më pas në gijotinë”.
Ndërsa ngjiste shkallët e karrierës në Deutsche, Sewing ndërhyri në favor të klientëve të tjerë me profil të lartë. Ai argumentoi se punonjësit duhet ta shqyrtonin sërish manjatin austriak të pasurive të paluajtshme, René Benko, me të cilin banka kishte ndërprerë marrëdhëniet pas një skandali ryshfeti, “me synimin për të bërë biznes në të ardhmen”. Kur një komitet i brendshëm i rrezikut nuk dha mbështetjen e mjaftueshme për vendimin që banka të vazhdonte marrëdhënien me Benkon, bordi drejtues i Sewing i dha dritën jeshile në nëntor 2019.
Ky vendim rezultoi i gabuar. Në vitin 2022, Benko u emërua si i dyshuar në një tjetër hetim për korrupsion, duke paraprirë rënien e perandorisë së tij të pasurive të paluajtshme dhe dënimin e tij të mëvonshëm për mashtrim në Austri.
Në vitin 2021, Sewing u bëri presion kolegëve që t’i jepnin Mathias Döpfner-it, drejtuesit të Axel Springer, një kredi prej 270 milionë eurosh, të garantuar me aksionet e tij në kompaninë mediatike, botuese e gazetës më të shitur në Evropë, Bild. Kredia synonte të financonte blerjen e aksioneve të Axel Springer.
Menaxherët e bankës për rrezikun e kreditimit donin të jepnin hua vetëm një pjesë të shumës, pasi shqetësoheshin se kredia varej tepër nga ecuria e Axel Springer. Sewing nuk ishte dakord: “Kam besim tek ai dhe gjithashtu te paketa bazë e garancive, si dhe te perspektiva” e Axel Springer, shkroi ai. “Rreziku është qartësisht që mund ta humbasim këtë biznes në favor të një banke tjetër, e cila është e gatshme të marrë përsipër të gjithë shumën”.
Pasi Sewing i tha Döpfner-it se Deutsche ishte e gatshme të jepte hua vetëm 170 milionë euro — një shumë që zyrtarët e saj të rrezikut e cilësuan si “jashtë kufijve të zakonshëm të pranueshëm të përqendrimit të rrezikut” — Döpfner mori të gjithë kredinë prej 270 milionë eurosh nga Julius Bär. Banka zvicerane nuk pranoi të komentonte. Döpfner nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me kredinë.
Prirja e bankës për të pasur klientë me rrezik të lartë rezultoi e vështirë për t’u ndryshuar. Në vitin 2020, një drejtues i lartë përshkroi “një shembull tipik” të qasjes së bankës.
Rasti në fjalë kishte “lidhje me Trump-in”, përfshinte “akuza për vrasje”, përfshirë edhe burgosjen, si dhe një “çështje gjyqësore në vijim në Monako lidhur me mashtrime me vepra arti”. Pavarësisht këtyre sinjaleve alarmuese, klienti u vlerësua se “nuk përbënte rrezik të konsiderueshëm për reputacionin”. Një koleg pyeti pse duhej “të merreshin fare me një rast të tillë?”, duke ngritur dyshimin nëse kjo tregonte mungesë të “objektivave për klientë me reputacion më të mirë”.
Stefan Hoops — në atë kohë drejtues i bankës së korporatave dhe sot drejtor ekzekutiv i DWS-së, menaxherit të aseteve të Deutsche-s — i tha Sewing se mungesa e të kuptuarit të problemit, edhe mes drejtuesve të lartë, pengonte përpjekjet për të përmirësuar kontrollet. Banka, tha ai, duhej të trajtonte mangësitë themelore dhe jo thjesht “të vendoste një fasho mbi plagë”.
Edhe pasi marrëdhënia e ngushtë e Deutsche-s me Epstein rezultoi në 225 milionë dollarë gjoba dhe marrëveshje financiare gjatë periudhës 2020–2023, disa punonjës argumentuan kundër ndërprerjes së marrëdhënieve me një tjetër person të dënuar për krime seksuale, i cili ishte klient i bankës. Një bankier i lartë dëshironte të mbante si klient një biznesmen gjerman “me reputacion të mirë”, i cili ishte dënuar për sulm seksual ndaj një gruaje në transportin publik.
Claudio de Sanctis, drejtuesi i bankës private të Deutsche-s, ndërhyri duke e cilësuar sjelljen e klientit si “thelbësisht të gabuar” dhe “të papranueshme”, tregojnë dokumentet.
Monitoruesit e jashtëm të emëruar nga rregullatorët amerikanë vunë në dukje se “De Sanctis duket se i ka nxjerrë mësimet nga çështja Epstein, por duket se jo të gjithë ata që raportojnë tek ai kanë bërë ende të njëjtën gjë”.
Në një tjetër rast që duket se përbënte dështim, banka kuptoi në vitin 2020 se kishte shkelur ligjet amerikane për tetë vjet, pasi nuk kishte kontrolluar të dhënat e saj për të verifikuar nëse kishte kryer transaksione me persona të caktuar të dyshuar për pastrim parash ose terrorizëm.
Punonjësit e Deutsche-s e përshkruan këtë zbulim si një “moment eurekë” për monitoruesit e jashtëm, Wolosky dhe Smalls.
Por, edhe shtatë muaj më vonë, banka “ende nuk kishte gjetur një zgjidhje për këto probleme në të gjitha linjat e prekura të biznesit”, vunë në dukje monitoruesit në shkurt të vitit 2021. Në vend që ta zgjidhte menjëherë problemin, banka e shtoi atë në listën e detyrave për t’u kryer.
Deutsche refuzoi të komentonte marrëdhëniet me klientë të veçantë, por shtoi se Sewing nuk kishte dijeni për marrëdhënien me Epstein përpara se banka të vendoste t’i jepte fund bashkëpunimit me të në fund të vitit 2018, kur krimet e tij seksuale tërhoqën sërish vëmendjen e mediave.
Një bankë “e re dhe më e mirë”
Në korrik të vitit 2019, pak më shumë se një vit pas marrjes së detyrës, Sewing ndërmori ristrukturimin më radikal në historinë moderne të Deutsche-s, duke përfshirë edhe një tërheqje të pjesshme nga bankimi i investimeve.
Ai u premtoi aksionarëve se banka më në fund kishte lënë pas të kaluarën e saj të shkatërruar, duke u zotuar të krijonte një “Deutsche Bank të re dhe më të mirë”, të mbështetur në një “mentalitet të ri dhe të ndryshëm”.
Ai pranoi se “disa mund të thonë se e kanë dëgjuar këtë edhe më parë”, por u zotua se “këtë herë është ndryshe, ne jemi ndryshe”. Deutsche nuk po “mohonte më dobësitë e saj dhe as po bënte sikur nuk i shihte ato”. “Po i trajtojmë ato drejtpërdrejt”, tha ai.
Përmbushja e këtij premtimi rezultoi më e vështirë sesa shpallja e tij. Në qershor të vitit 2021, një prezantim i brendshëm paralajmëroi për një hendek prej 1 miliard eurosh në objektivin e uljes së kostove të Deutsche-s për vitin 2022.
Një muaj më vonë, banka hoqi dorë nga objektivi pa e bërë të ditur mungesën, duke deklaruar në vend të kësaj se transformimi i saj ishte “përparuar ndjeshëm” dhe se drejtuesit po “përditësonin udhëzimet për kostot”. Sewing u tha analistëve se “ne gjithashtu po vazhdojmë të bëjmë përparim në uljen e kostove”.

Selia qendrore e Deutsche-s në Frankfurt. Probleme teknike në thelbin e operacioneve të saj bankare kanë sjellë kosto marramendëse.
Brenda Deutsche-s, drejtori ekzekutiv po bëhej gjithnjë e më i alarmuar. Në shtator, pas një tjetër raportimi të brendshëm zhgënjyes mbi kostot, ai u shkroi kolegëve: “Kjo nuk është mirë (ashtu siç kishim frikë)”, duke pranuar se “në njëfarë mase kam dështuar gjatë dy muajve të fundit”, pasi “duhej të kisha qenë më i ashpër”. Gjashtë ditë më vonë, ai i shkroi drejtorit financiar, James von Moltke: “Nuk arrita të flija mbrëmë, sepse jam shumë i shqetësuar për kostot”.
Në disa raste, Deutsche duket se i menaxhonte objektivat e saj në mënyra thjesht kozmetike. Në vitin 2020, drejtuesi i sektorit të instrumenteve me të ardhura fikse, Ram Nayak, i tha bordit drejtues se klientët ishin transferuar në një njësi të veçantë për aktivet problematike “me qëllim përmbushjen e objektivave për aktivet e ponderuara sipas rrezikut”, vetëm që më pas të transferoheshin sërish, sepse ishin “kritikë për vazhdimësinë e biznesit”.
Kjo bie në kontrast me përshkrimin publik që Sewing i ka bërë stilit të tij drejtues. Duke reflektuar mbi tetë vitet e para në krye të Deutsche-s, ai i tha drejtuesit të një podkasti në qershor të vitit 2026: “Nëse ndonjëherë nuk arrinim të përmbushnim një objektiv, e komunikonim hapur këtë dhe jepnim gjithashtu një arsye. Dhe kjo është, në thelb, një komunikim i ndershëm dhe transparent”.
Në realitet, banka duket se i menaxhonte telefonatat me analistët duke përgatitur pyetje përmes “analistëve miqësorë”. Përpara një telefonate të tillë në vitin 2019, drejtuesi i marrëdhënieve me investitorët, James Rivett, i tha Sewing dhe të tjerëve se “i kemi përgatitur dy pyetjet e para”, duke shtuar se ato do të “vijnë nga personat që do të bëjnë pyetjen e dytë dhe të tretë”. Pasi u bënë pyetjet e pritshme dhe telefonata vazhdoi, Rivett shkroi: “Më kanë mbaruar pyetjet e tyre të përgatitura… tani jemi vetëm”.
Kjo nuk ishte një praktikë e izoluar. Gjatë një telefonate tjetër me analistët, në një bisedë të brendshme, von Moltke pyeti: “Ku është pyetja ime për kostot e uljes së rrezikut?”, dhe një punonjës iu përgjigj: “E kemi mbjellë pyetjen”.
Në një deklaratë, Deutsche thotë se “hedh poshtë sugjerimin” se udhëzimet e saj për vitin 2022 “kishin për qëllim të fshihnin presionet mbi kostot”. Banka argumenton se në vitin 2021, në deklarimet e saj publike, “diskutoi në mënyrë transparente si treguesit për rritjen e të ardhurave, ashtu edhe ata për rritjen e kostove”.
Sa u përket shqetësimeve të brendshme të Sewing për kostot, banka thotë se është “krejt normale që një drejtor ekzekutiv ta sfidojë organizatën lidhur me kostot, efikasitetin dhe performancën financiare”. Ajo e cilësoi “debatin e fortë të brendshëm për këto çështje” si një “pjesë normale dhe të shëndetshme” të proceseve të saj të drejtimit dhe qeverisjes.
Deutsche thotë se raporti i saj vjetor për vitin 2020 bënte të ditur se transferimet mes bankës kryesore dhe njësisë për aktivet e padëshiruara “mund të ndodhnin herë pas here, mbi baza të barasvlershme me kushtet e tregut, me qëllim ruajtjen e marrëdhënieve me klientët që janë të rëndësishëm për vazhdimësinë e biznesit”. Banka tha se këto regjistrime të kundërta të transaksioneve ishin “shumë të kufizuara” dhe prekën vetëm 2 për qind të bilancit fillestar.
Banka thotë se pyetjet gjatë telefonatave me analistët ishin në “diskrecionin e plotë” të vetë analistëve. Ajo shton se “mund t’i inkurajojë” analistët që kanë shprehur interes për tema të caktuara t’i ngrenë ato publikisht gjatë këtyre telefonatave, në mënyrë që banka të shmangë zbulimin selektiv të informacionit.
Pranimi i gabimeve
Miliona dokumentet e rrjedhura zbulojnë një model sjelljeje që është përsëritur në ekipe të ndryshme drejtuese dhe në pjesë të ndryshme të bankës. Problemet serioze identifikoheshin dhe premtohej se do të korrigjoheshin përpara rregullatorëve, investitorëve ose bordit drejtues, por mangësitë vazhdonin të ekzistonin ose shfaqeshin sërish në njësi të tjera, në disa raste duke cenuar transparencën e Deutsche-s.
Premtimet për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të Deutsche-s ishin bërë prej vitesh përpara se Sewing të merrte drejtimin e bankës.
Ish-drejtori ekzekutiv Anshu Jain premtoi “ndryshim të kulturës” në vitin 2012. Pasardhësi i tij, John Cryan, u zotua në vitin 2015 se do ta drejtonte bankën me “disiplinë dhe qëllim më të madh”, për të garantuar “performancë dhe sjellje të mirë”.
Në disa raste, mosfunksionimi i bankës kufizohej me mashtrimin. Ndërsa Jain u thoshte investitorëve se Deutsche ishte “në krye të industrisë” për sa u përket përmirësimeve kulturore, bordi drejtues vonoi regjistrimin e një humbjeje prej 840 milionë dollarësh gjatë një procesi rritjeje kapitali në vitin 2014.
Në qendër të problemit ishte Maher Terminals, një operator portual i terminaleve të kontejnerëve në Amerikën e Veriut, të cilin Deutsche e kishte blerë për 2.3 miliardë dollarë në vitin 2007. Në maj të vitit 2014, punonjësit e Deutsche-s arritën në përfundimin se Maher ishte mbivlerësuar në mënyrë të konsiderueshme dhe rekomanduan një zhvlerësim prej 35 për qind, i cili do të ndikonte në një bilanc që ishte tashmë më i dobët se objektivat e brendshëm.
Bordi drejtues ishte planifikuar ta diskutonte zhvlerësimin në maj të vitit 2014. Por propozimi “u tërhoq […] me kërkesë të [drejtorit financiar të atëhershëm] Stefan Krause”, sipas një dokumenti të shqyrtuar nga FT.
Të nesërmen, Deutsche njoftoi planet për të mbledhur 8.5 miliardë euro (11.6 miliardë dollarë) nga aksionarët. Prapaskenat tregojnë se punonjësit paralajmëruan vazhdimisht se “çështjet që po diskutoheshin lidhur me portet Maher” mungonin në projekt-prospektin për rritjen e kapitalit.
Prospekti, i publikuar më 5 qershor, përmendte rrezikun e lidhur me Maher vetëm në terma të përgjithshëm, duke paralajmëruar se “humbjet dhe rreziqet” nga operatori portual “mund të ulnin ndjeshëm vlerën” e pjesëmarrjes së Deutsche-s në këtë kompani: “Çdo zhvlerësim i mundshëm i një investimi të tillë mund të ndikonte më tej negativisht në aktivitetin e Deutsche Bank”.
Bordi drejtues diskutoi zhvlerësimin prej 840 milionë dollarësh një ditë më vonë, por e shtyu marrjen e vendimit.
Në korrik, disa javë pas rritjes së kapitalit, bordi miratoi zhvlerësimin. Duke përfshirë edhe një zhvlerësim tjetër që pasoi në dhjetor, Maher konsumoi më shumë se 1 miliard dollarë brenda gjashtë muajve — një shumë e barabartë me gati një të dhjetën e fondeve të mbledhura.
Një hetim i brendshëm i kryer nga njësia e auditimit të grupit Deutsche — i nisur në vitin 2014, kur Sewing drejtonte këtë njësi — nuk gjeti “mangësi kritike”. Megjithatë, raporti thoshte se drejtuesit nuk kishin arritur të “merrnin parasysh përshtypjen e parregullsisë” që mund të krijonte vonesa në vendimmarrjen për zhvlerësimin, duke pasur parasysh kohën kur ndodhi. Ai shtonte se shqetësimet e punonjësve “nuk u trajtuan në mënyrë transparente”.
Deutsche thotë se i ka “hetuar plotësisht” shqetësimet e sinjalizuesve lidhur me Maher Terminals, duke angazhuar një “firmë ligjore të pavarur, e cila nuk gjeti prova që të mbështesnin pretendimet”. Banka shton se çështja Maher u “shqyrtua gjithashtu nga brenda, nga këshilltarë ligjorë të jashtëm dhe auditorë të pavarur” dhe u vlerësua si “e përshtatshme”.
Probleme me transaksionet
Gjatë viteve, defektet e dukshme në zemër të operacioneve bankare të Deutsche-s shkaktuan kosto marramendëse, ndërsa banka në disa raste pati vështirësi edhe në kryerjen e aktivitetit të saj bazë.
Në vitin 2007, banka hyri në një marrëveshje afatgjatë për një kontratë shkëmbimi të normave të interesit (interest rate swap), përmes së cilës shkëmbente me një palë tjetër pagesa interesi me normë fikse dhe të ndryshueshme. Kjo marrëveshje nuk u bë e ditur brenda bankës dhe qëndroi jashtë sistemit të saj të menaxhimit të rrezikut për vite me radhë.
Si pasojë, raporti i brendshëm konstatoi se rreziku i madh i normës së interesit që buronte nga ky pozicion “nuk u zbulua në kohën e duhur”. Deri në vitin 2014, kontrata e shkëmbimit kishte akumuluar humbje prej 456 milionë dollarësh. Sipas dokumenteve, “nuk u përdor asnjë sistem për regjistrimin e transaksioneve” lidhur me këtë marrëveshje, ndërsa kontabiliteti mbështetej në “regjistrime mujore manuale, të kryera drejtpërdrejt në librin e Përgjithshëm të Kontabilitetit të Deutsche Bank Americas Holding”.
Në një rast tjetër, Deutsche zbuloi se për katër vjet e gjysmë, deri në vitin 2017, kishte dhënë kredi hipotekore për banesa në Itali pa pasur njohuri të mjaftueshme për rreziqet dhe vëllimin e këtij aktiviteti. Transferimet e automatizuara të të dhënave drejt Frankfurtit kishin ndaluar, ndërkohë që aktiviteti kishte akumuluar afro 800 milionë euro humbje të fshehura.
Sistemet famëkeqe informatike të bankës përbënin një tjetër burim mosfunksionimi. Paraardhësi i Sewing, Cryan, e cilësoi sistemin kompjuterik të Deutsche-s si “të mjerueshëm” në vitin 2015 dhe u përpoq ta përmirësonte situatën duke kontraktuar kompani të jashtme për punët e teknologjisë së informacionit (IT).
Por kontraktimi i jashtëm u shoqërua me probleme që në fillim. Në vitin 2017, partneri i Deutsche-s për shërbimet e kontraktuara, DXC Technology, u sulmua nga hakerë kinezë.
Sistemet e bankës ishin aq të dobëta sa ajo pati vështirësi të përcaktonte përmasat e plota të ndërhyrjes. “Mungesa e dukshmërisë mbi infrastrukturën e DB-së kufizon aftësinë e DB-së për të zbuluar veprime keqdashëse”, thuhej në një vlerësim të brendshëm të vitit 2018. Megjithatë, Deutsche u kishte thënë më parë autoriteteve mbikëqyrëse se nga sulmi ndaj DXC-së nuk ishte komprometuar “asnjë informacion i klientëve apo financiar”.
Edhe aktivitetet e zakonshme të përditshme mund të përfundonin në probleme. Në qershor të vitit 2018, një transfertë bankare prej 2 miliardë eurosh e Deutsche Telekom ngeci në sistemet e Deutsche-s “për shkak të një problemi teknik në procesin tonë të brendshëm”, sipas dokumenteve të brendshme të shqyrtuara nga FT. Drejtori ekzekutiv i Telekom-it, Tim Höttges, ishte shumë i zemëruar dhe u ankua disa herë te Sewing. “Në një moment, ai madje mendoi se mospagesa lidhej me një problem të mundshëm të stabilitetit të DB-së”, u shkroi Sewing bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, duke shtuar se duhej t’i bënte Höttges-it “një shpjegim të plotë mbi gjendjen tonë financiare” për ta qetësuar.
Shuma prej 2 miliardë eurosh mbërriti përfundimisht të hënën, me disa ditë vonesë, në vend që të mbërrinte të premten. Në një email tepër kritik, Kuhnke — drejtori i atëhershëm operativ dhe një bashkëpunëtor i afërt i Sewing — e cilësoi menaxhimin e krizës nga Deutsche si “një rrëmujë të plotë”.
Deutsche thotë se transferta prej 2 miliardë eurosh ishte pjesë e më shumë se 1 trilion eurove në “pagesa me vlerë të lartë” që ajo përpunon çdo ditë. Banka shton se transferta u krye “kur sistemi i klerimit të euros u hap në ditën e ardhshme të punës”. Ajo gjithashtu thotë se “përmirëson vazhdimisht infrastrukturën e saj të pagesave”. Telekom refuzoi të komentonte.
Trashëgimia
Disa nga problemet kronike të Deutsche-s janë përmirësuar gjatë drejtimit të Sewing. Por banka vazhdon të ketë vështirësi me të tjera. Vetëm këtë vit, autoritetet gjermane kanë kryer kontrolle në ambientet e bankës në tri raste.
Muajin e kaluar, BaFin zgjati edhe një herë afatin për korrigjimin e mangësive në kontrollet e Deutsche-s kundër pastrimit të parave dhe në monitorimin e transaksioneve. Disa prej këtyre mangësive ishin objekt i një urdhri të vitit 2021 të autoritetit gjerman të mbikëqyrjes financiare dhe duhej të ishin trajtuar prej vitesh.
Një email i vitit 2018, kur Sewing drejtonte bankën me pakicë, nxjerr në pah qëndrimin e tij ndonjëherë fatalist për eliminimin e sjelljeve të këqija.
“Fatkeqësisht, është njësoj si të jetosh në një qytet me 100 mijë banorë”, shkroi ai. “Në secilin prej këtyre qyteteve ka vrasës e të tjerë si ata, prandaj ne nuk do të arrijmë kurrë pajtueshmëri 100 për qind.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times