Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve të mbledhur para Kryeministrisë, duke e cilësuar të papranueshëm përdorimin e forcës dhe gjobave për të penguar tubimet paqësore.
Përmes një deklarate, Bardhi rikujton se e drejta për protestë garantohet nga Kushtetuta dhe se asnjë autoritet shtetëror nuk mund ta kufizojë atë në mënyrë arbitrare.
Ai paralajmëron se çdo përpjekje për të penguar qytetarët të protestojnë, përmes dhunës apo masave ndëshkuese, mund të përbëjë vepër penale dhe duhet të pasohet nga përgjegjësia për personat e përfshirë.
“Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të penguar ushtrimin e një të drejte themelore”, shprehet Bardhi, duke theksuar se cenimi i së drejtës për tubim nuk mund të mbetet pa pasoja.













