Një 40-vjeçar shqiptar, me inicialet D.M., është paraqitur para gjykatës në Cairns të Australisë, nën akuzën se ka ndihmuar një të burgosur të arratisur t’u shmangej autoriteteve për afro shtatë muaj.
I arratisuri, 47-vjeçari O.R., ishte larguar nga mbikëqyrja e autoriteteve në prill të këtij viti, gjatë ceremonisë mortore të vëllait të tij në Melburn, ku kishte marrë leje të posaçme për të marrë pjesë. Pas disa muajsh në arrati, ai u lokalizua dhe u arrestua në zonën e Bamaga-s, në veriun e largët të Queensland-it.
Në të njëjtin operacion u arrestuan edhe D.M. dhe një tjetër person, E.K., 46 vjeç. Të dy akuzohen për strehimin e një personi të arratisur, posedim të lëndëve narkotike dhe posedim të pronës së dyshimtë.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i shqiptarit deklaroi se klienti i tij nuk kishte dijeni se O.R. ishte në kërkim nga policia. Sipas mbrojtjes, udhëtimi i tre personave drejt Cape York ishte organizuar për peshkim dhe kamping, dhe jo për të ndihmuar të arratisurin t’u shmangej autoriteteve.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit të automjetit ku udhëtonin tre personat u gjetën shtatë gramë kokainë dhe 46.900 dollarë australianë. Autoritetet sekuestruan gjithashtu një pasaportë zvicerane, për të cilën dyshohet se ishte e falsifikuar.
Gjykata ka miratuar lirimin me kusht të D.M., duke i vendosur disa detyrime, mes tyre paraqitjen e rregullt në polici dhe dorëzimin e pasaportës.
Shqiptari jeton prej rreth dhjetë vitesh në Australi dhe është në proces aplikimi për qëndrim të përhershëm. Çështja pritet të shqyrtohet sërish më 2 shkurt 2027.

