Juventusi po përgatit merkaton e janarit me të paktën tre përforcime, sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport. Trajneri Luciano Spalletti ka kërkuar një mbrojtës të majtë, një mesfushor dhe një sulmues për të forcuar skuadrën aktuale të bardhezinjve. Klubi italian synon të ndërhyjë në këto tre pozicione kur të hapet dritarja e transferimeve në fillim të vitit të ardhshëm.
Planet për përforcime, megjithatë, varen nga largimet e nevojshme për të lehtësuar organikën e ngarkuar të skuadrës, shkruan Telesport.al, duke cituar La Gazzetta dello Sport. Merkaton e janarit Juventus e shikon si mundësi për të plotësuar këto nevoja të skuadrës. Por kjo do të ndodhë vetëm pasi të rregullojë numrin e lojtarëve në dispozicion të Spallettit, sipas të njëjtit raportim.
Për krahun e majtë të mbrojtjes dëshira e madhe e Juventusit është Rayan Ait-Nouri i Manchester City, ndërsa në listë figuron edhe Alejandro Balde i Barcelonës. Një tjetër emër që po ndiqet është italiani i Tottenham, Destiny Udogie. Për mesfushën, emri i parë në listë është danezi i Olimpique Marseille, Pierre-Emile Hojbjerg, ndërsa një opsion tjetër është francezi i Sassuolo, Darryl Bakola.
Për vijën e sulmit, emrat janë më të shumtë, por në fund synohet të transferohet vetëm njëri prej tyre. Në krye të listës qëndron norvegjezi i Atletico Madridit, Alexander Sorloth, për të vijuar më pas me amerikanin Folarin Balogun, si dhe dy italianët, Mateo Retegui dhe Gianlucca Scamacca.
Aktualisht, Juventus ka një organikë tepër të ngarkuar. Ndaj është e nevojshme që para se të kryejë përforcimet që ka në plan për janarin, klubi duhet të bëjë disa largime.
