Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu, është dënuar me dy vite e një muaj të tjerë burg nga një gjykatë turke, e cila i ka vendosur edhe një ndalim të ri për ushtrimin e aktivitetit politik.

Sipas televizionit shtetëror turk TRT Haber, Imamoglu është një nga nëntë të pandehurit e dënuar në një çështje që lidhet me kongresin e Partisë Republikane Popullore (CHP), forcës kryesore të opozitës, të mbajtur në nëntor 2023.

Të pandehurit akuzoheshin se kishin ofruar përfitime të parregullta për të nxitur votimin në favor të Ozgur Ozelit, i cili u zgjodh kryetar i CHP-së në atë kongres. Ata i kanë mohuar akuzat.

Para arrestimit, Imamoglu konsiderohej kundërshtari kryesor i mundshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Ky nuk është dënimi i parë ndaj tij. Gjykatat turke i kanë vendosur më parë ndalime politike në vitet 2022 dhe 2025, si dhe e kanë dënuar me më shumë se gjashtë vite burg. Imamoglu i ka apeluar të dyja ndalimet e mëparshme.

Ndërkohë, ai po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor për korrupsion, i cili nisi në mars dhe përfshin më shumë se 400 të pandehur të lidhur me Bashkinë e Stambollit.

Akuzat në këtë proces parashikojnë dënime që, të marra së bashku, arrijnë në qindra vite burg. Imamoglu i mohon akuzat për korrupsion.