Vetëm pak ditë pasi Pogradeci siguroi fitoren ndaj Besëlidhjes në javën e 10-të të Kategorisë së Parë, trajneri Emiljano Çela ka befasuar me vendimin e tij për t’u shkëputur nga skuadra liqenore. Në një reagim të fundit në platformat sociale, ai ka sqaruar arsyet e kësaj ndarjeje për opinionin sportiv.
“Përshëndetje të gjithëve! Sot dua të bëj me dije mbylljen e bashkëpunimit me KF Pogradeci, pas një rrugëtimi 14-mujor ku zhvilluam 44 ndeshje zyrtare, me rezultatet: 27 fitore, 11 barazime dhe 6 humbje,” shkruan Çela në njoftimin e tij.
Të lidhura
None found
Ai shpreh mirënjohje të thellë për qytetin e Pogradecit për pritjen dhe konsideratën e treguar gjatë gjithë kësaj kohe, si dhe për klubin që i dha mundësinë e bashkëpunimit. Megjithatë, falënderimi më i madh shkon për lojtarët, me të cilët pati privilegjin të punonte dhe të ndante këtë përvojë.
“Kemi jetuar së bashku momente të mrekullueshme, vështirësi dhe përvoja që do të mbesin pjesë e memories sonë dhe e rritjes profesionale e njerëzore. Uroj që kjo periudhë të ketë qenë po aq e çmuar për të gjithë ne, sa ka qenë për mua,” vijon trajneri.
Në fund të mesazhit, Çela thekson se largohet me respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata me të cilët ndau punën dhe përvojat e përbashkëta. “Faleminderit, Pogradec!”, përfundon ai.








