Skema e propozuar për sponsorizimet ofron një mekanizëm të ri që e bën më tërheqës angazhimin e një sipërmarrjeje për të dhënë mbështetje financiare për aktivitetet sportive, artistike e kulturore, por duke përcaktuar nga ana tjetër dhe një listë me kategoritë e personave dhe biznesve që përjashtohen nga kjo mundësi.
Projektligji ka një nen të posaçëm me kufizimet për donacionet dhe sponsorizimet. Këto kufizime prekin personat e dënuar me vendim të formës së prerë për të paktën tetë vepra penale që shtrihen nga korrupsioni, pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, trafikimi i paligjshëm, deri te fshehja e të ardhurave, mospagimi i taksave e falsifikimi i dokumentave. Të përjashtuar dhe personat ndaj të cilëve ka masa shtrënguese ndërkombëtare për ngrirjen e fondeve dhe pasurive.
Një shoqëri që është në process falimentimi, që ka pezulluar aktivitetin apo ka marëveshj për shlyerje borxhesh, nuk mund të jetë donator apo sponsorizues.
I njejti ndalim edhe për kompanitë e duhanit e pijeve alkoolike, e ato që i importojnë apo eksportojnë këto produkte, si dhe ato që reklamojnë lojërat e fatit.
Në këtë listë përfshihen dhe subjektet buxhetore dhe shoqëritë, ku shteti zotëron aksione.
Të gjitha donacionet dhe sponsorizimet duhet të jenë të deklaruara. Ato anonime janë të ndaluara, sipas projektligjit.
Propozimi i qeverisë, parashikon se vlera e ofruar për donacione apo sponsorizime nuk mund të shkojë më shumë se 30 përqind e tatimit mbi fitimit, por një biznes vetëm, nuk do të mund të japë më shumë se 30 milion lekë të rinj.
Propozimi vendos po ashtu, një tavan prej 2 miliard lekësh ose, 22 milionë euro, për vlerën totale të sponsorizimeve të lejuara brenda një viti për të gjitha aktivitetet.





Komente
Komento