Cambridge Dictionary ka bërë të ditur se “human” është fjala e vitit 2026, një zgjedhje që lidhet drejtpërdrejt me diskutimin gjithnjë e më të gjerë për pozicionin e njeriut në kohën e inteligjencës artificiale.
Termi që nënkupton “njerëzor” ka fituar një rëndësi të re ndërsa teknologjia po i bën më të paqarta kufijtë midis aftësive njerëzore dhe atyre të makinave, duke ngritur pyetjen se çfarë duam të ruajmë si thelbësisht njerëzore.
Të lidhura
None found
Sipas redaktorëve të fjalorit, kjo fjalë ka marrë domethënie shtesë teksa sistemet e AI-së po arrijnë të imitojnë gjithnjë e më mirë bisedat, krijimtarinë dhe proceset e vendimmarrjes te njerëzit.
Në këtë kuadër, “human” nuk përdoret më thjesht për të bërë dallimin nga kafshët, hyjnitë ose makineritë; tani ajo shërben shpesh për të theksuar se një vepër, aftësi apo përvojë ka origjinë njerëzore.
Leksikografi i Cambridge Dictionary, Colin McIntosh, u shpreh se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si flasim për të qenët njerëzor.
Sipas tij, shqetësimi për atë që mund të humbasim kur ia besojmë teknologjisë proceset e të menduarit po e shtyn njerëzimin të rivlerësojë varësinë nga AI-ja, në fusha që shkojnë nga matematika e përparuar deri te edukimi i fëmijëve.
McIntosh veçoi rritjen e përdorimit të shprehjes “human-made”, që do të thotë “i krijuar nga njeriu”, e cila ndihmon për ta dalluar punën e vërtetë njerëzore nga përmbajtjet e prodhuara me inteligjencë artificiale.
Ai shpjegoi se pikërisht ky interesim i ripërtërirë për të qenët njeri e pasqyroi frymën e kohës dhe e shndërroi “human” në fjalën e vitit të Cambridge Dictionary. Fjalori e përkufizon këtë term si diçka që ka cilësitë, të metat dhe ndjenjat e njerëzve, ndryshe nga hyjnitë, kafshët ose makinat.
Kjo përzgjedhje përkon me momentin kur figura të njohura po diskutojnë se cilat role dhe marrëdhënie duhet të mbeten në qendër të përvojës njerëzore.
Bill Gates, në një ese të botuar në gusht, mbrojti idenë që disa profesione duhet t’u rezervohen njerëzve, përfshirë kujdesin ndaj të tjerëve. Duke folur për zgjedhjen e fjalës së vitit, ai tha se AI-ja po na detyron të reflektojmë më thellë rreth kuptimit të të qenit njeri.
Gates u shpreh se teknologjia mund të ndihmojë në kurimin e sëmundjeve, në përmirësimin e arsimit dhe në çlirimin e më shumë kohe për gjërat që kanë më shumë vlerë për njerëzit.
Megjithatë, sipas tij, kjo kërkon zgjedhje të ndërgjegjshme për mënyrën se si teknologjia hyn në jetën tonë dhe për ato fusha ku duam që njerëzit të mbeten në epiqendër. Ai shtoi se suksesi i AI-së duhet të matet me atë se sa e përmirëson jetën njerëzore.
Geoffrey Hinton, fitues i çmimit Nobel në Fizikë dhe shpesh i konsideruar një nga figurat themeluese të inteligjencës artificiale moderne, ka paralajmëruar për shpejtësinë e lartë të zhvillimit të saj.
Ai i ka cilësuar në mënyrë figurative sistemet e reja si “qenie aliene” dhe ka theksuar se njerëzimit mund t’i mbetet pak kohë për t’u përshtatur. Hinton deklaroi se është gati të jetë egoist dhe të zgjedhë njerëzit.


Edhe Papa Leoni XIV, në letrën “Magnifica Humanitas”, ka përmendur forma të reja “çnjerëzimi” si dhe detyrimin që të mbetemi thellësisht njerëzorë.
Dr. Tom McClelland, filozof i shkencës në Universitetin e Cambridge-it, e sheh këtë zgjedhje si një ftesë për t’u marrë me pyetje që kapërcejnë fushën e teknologjisë.
Ai tha se kuptimi i të qenit njeri nuk është i fiksuar njëherë e përgjithmonë, por ndryshon vazhdimisht në varësi të kontekstit politik, njohurive shkencore dhe teknologjisë së çdo epoke.
Sipas McClelland, debatet mbi inteligjencën artificiale dëshmojnë se njerëzit e interpretojnë këtë çështje në mënyra shumë të ndryshme. Ai shtoi se “human” është një zgjedhje shumë e mirë për fjalën e vitit, sepse i nxit këto pyetje thelbësore.
Në fjalor kanë hyrë edhe terma të tjerë të rinj që pasqyrojnë prirjet kulturore dhe digjitale të vitit.
“Air jail” është një shprehje e përhapur në videot me kafshë shtëpiake dhe përshkruan veprimin e ngritjes dhe mbajtjes së tyre përkohësisht në ajër për t’u ndërprerë një sjellje. “Aura farming” i referohet kultivimit të qëllimshëm të një imazhi tërheqës, mbresëlënës ose të admirueshëm, veçanërisht në rrjetet sociale.
Ndërsa “looksmaxxing” përshkruan përpjekjet për ta rritur sa më shumë tërheqjen fizike, një prirje mjaft e dukshme te të rinjtë meshkuj.
Në garën për fjalën e vitit ishin gjithashtu “agent”, që lidhet me sistemet e AI-së që kryejnë veprime në mënyrë autonome; “wholesome”, që i referohet përmbajtjeve të ngrohta e pozitive; dhe “analogue”, që shpreh interesin për veprimtari larg ekraneve. Leximi i librave fizikë, thurja dhe dëgjimi i pllakave të vinilit janë disa shembuj të këtij orientimi.
Fjalori po shqyrton edhe shprehje të tjera, si “weather whiplash” për kalimet e shpejta dhe të forta midis ekstremeve të motit, “FOBO” për frikën se aftësitë ose profesioni mund të vjetrohen për shkak të AI-së dhe “dusking” për vëzhgimin e kalimit nga drita e ditës në errësirë si formë çlodhjeje.
Këto terma përfaqësojnë shqetësime aktuale që lidhen me klimën, pasigurinë në vendin e punës dhe nevojën për qetësi.
Profesorja Rachel Adams, eksperte për qeverisjen e AI-së dhe të drejtat e njeriut në Universitetin e Cambridge-it, tha se inteligjenca artificiale do të shërbejë si një provë e thellë për njerëzimin.
Sipas saj, teknologjia mund t’i thellojë pabarazitë ekzistuese, por në të njëjtën kohë mund të prodhojë edhe mjete që i zbusin ato.
Ajo u shpreh se duhet të vendosim bashkërisht se çfarë vlerësojmë dhe çfarë do të lejojmë t’i ndodhë njëri-tjetrit. Adams shtoi se pyetja mbetet nëse përfitimet e AI-së në pasuri, prodhimtari dhe përparim shkencor do të vihen në funksion të përballimit të sfidave të mëdha politike të kohës.








