Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar në Kuvend kushtet në spitalin e Lushnjës, duke paraqitur fotografi dhe duke përshkruar mungesën e pajisjeve dhe problemet në ambientet e institucionit shëndetësor.
Gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027, Korreshi tha se spitali nuk ka skaner, ndërsa ngriti shqetësime edhe për kushtet në repartin e pediatrisë. Sipas tij, në mungesë të ujit në lavamanë, personeli detyrohet të përdorë legenë për të larë fëmijët. Ai tregoi gjithashtu se pneumologu ishte vetë i sëmurë për shkak të mykut në ambientet ku punon.
“Urdhëro skaneri në Lushnje, me biçikletë burri i huaj se ku ta lërë? Ne shkojmë për t’u vizituar te pneumologu, pneumologu ishte sëmurë vetë nga myku që ka aty, tha jam me ilaçe për vete! Te pediatria me legen se nuk ka ujë lavamani! I fusin një të shpëlarë fëmijës atje para se t’i ndërrojnë bebelinat!”, deklaroi Korreshi.
Deputeti kritikoi edhe fondet e parashikuara për bujqësinë, të cilat sipas ministrit Andis Salla arrijnë në 17.9 miliardë lekë, me një rritje prej 0.2%. Korreshi e ironizoi këtë shtesë, duke e krahasuar me më pak se gjysmën e një kokrre veze, ndërsa tha se mbështetja financiare nuk mjafton as për të blerë çizme për fermerët.
“Një pulë bën 200 koqe ve në vit. 0.2% i koqeve të vezëve është as gjysmë koqe veje. E ndien bujqësia këtë rritje? […] Këto lekët tuaja fermerit s’i dalin as për çizme”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Korreshi kritikoi edhe shpërndarjen e fondeve për bashkitë, duke iu drejtuar ministrit Petrit Malaj. Sipas deputetit, fondet për pagat në bashki janë shumëfish më të larta se ato të parashikuara për kanalet dhe infrastrukturën bujqësore, ndërsa pretendoi se kanalet janë mbuluar nga ferrat.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për problemet me furnizimin me energji elektrike në zonat bujqësore, duke thënë se sistemi nuk garanton as lidhjen e një sere me rrjetin për të vënë në punë pompën e ujitjes.
“Lushnja ka nevojë emergjente për sistem elektrik. […] Një kontratë për serën nuk e lidh dot që të çojë kabëll atje për ujë në pompë. Mua m’u dogjën të gjitha pajisjet”, tha deputeti.
Korreshi e mbylli fjalën me ironi ndaj deputetëve të mazhorancës, duke kritikuar mungesën e tyre në Kuvend dhe duke iu referuar edhe Samitit të NATO-s.

