Ajo që në pamje të parë dukej si një gjest dashamirës nga gjyshërit, u shndërrua në një konflikt familjar. Prindërit e bashkëshortit të një nëne të re filluan të blinin pajisje për foshnjën, megjithëse ajo nuk kishte ndërmend t'ua linte fëmijën për përkujdesje.

Nëna e re, e identifikuar si Keana, tregoi në TikTok se vjehrri dhe vjehrra kishin blerë një bazë për ulësen e fëmijës në veturën e tyre, si dhe një djep për shtëpinë e tyre.


Publikimi i saj nxiti debat të madh, ndërsa ajo më pas shpjegoi se vendimi për të mos ua lënë fëmijën lidhej me një konflikt që kishte zgjatur prej vitesh me prindërit e bashkëshortit.

Gjithçka nisi kur ata blenë një bazë për ulësen e fëmijës, të cilën planifikonin ta mbanin në veturën e tyre. Kjo iu duk e çuditshme Keanës, pasi, sipas saj, ata takoheshin rrallë.

Menjëherë pas kësaj, blenë edhe një djep për shtëpinë e tyre, madje më cilësor se ai që Keana dhe bashkëshorti kishin për fëmijën e tyre.

Ajo filloi të pyeste veten nëse vjehrri dhe vjehrra prisnin që foshnja të kalonte netët tek ata, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte diskutuar apo dakorduar asnjëherë.

"Nuk e di nëse prisni që fëmija im të flejë tek ju, pasi keni folur keq për prindërit e mi vetëm pse më qëndruan pranë në spital. Kjo nuk do të ndodhë", u shpreh ajo.

Në përshkrimin e videos ishte edhe më e drejtpërdrejtë: "M'u desh ta rrisja djalin tuaj 23-vjeçar, ndërsa ju prisni që t'ju lejoj të kujdeseni për fëmijën tim? Absolutisht jo!".

Pretendon se vjehrri e poshtëronte bashkëshortin prej vitesh

Keana shpjegoi se më herët kishte punuar për babanë e bashkëshortit dhe se marrëdhënia e tyre kishte qenë problematike që nga fillimi.

Ajo pretendon se vjehrri vazhdimisht ia kujtonte se punën e kishte siguruar vetëm falë tij, duke e përshkruar sjelljen e tij si manipuluese.

"Të gjithë thonë se problemi zakonisht është vjehrra, por në rastin tim ishte vjehrri", theksoi ajo.

Sipas saj, vjehrri shpesh e poshtëronte djalin e tij para miqve dhe familjarëve, duke u tallur me peshën, punën dhe çështje të tjera personale.

Ajo shtoi se shumë njerëz, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, i konsideronin këto komente si shaka, derisa ajo ia shpjegoi se një sjellje e tillë nuk ishte normale.

Një moment i pakëndshëm në festën para lindjes së foshnjës

Keana kujtoi edhe një incident të pakëndshëm gjatë festës së organizuar para lindjes së fëmijës.

Mes dhuratave që po hapnin ishte edhe një libër me titullin "Lopa e trashë". Ajo u befasua veçanërisht nga reagimi i nënës së bashkëshortit.

"Po hapnim dhuratat dhe morëm një libër që quhej 'Lopa e trashë'. Kur e hapëm dhe të gjithë e panë, nëna e tij tha para të gjithëve: 'Hej, Trevor, kjo je ti'", tregoi ajo.

Keana pretendon gjithashtu se prindërit e bashkëshortit ua kishin marrë paratë dhe se vjehrri kishte tentuar ta sulmonte fizikisht të birin, ndërsa ai ishte me paterica, vetëm tri ditë pas një operacioni në gju.

Ajo zbuloi edhe një detaj tjetër të rëndësishëm: ajo dhe bashkëshorti nuk kanë komunikuar me prindërit e tij prej tri vjetësh.

"Kemi ndërprerë komunikimin me prindërit e tij para tre vjetësh. Ende çdo disa muaj marrim mesazhe të pakëndshme. Me pjesën tjetër të familjes së tij vazhdojmë të takohemi dhe të komunikojmë, ndërsa këtë vendim e kemi marrë së bashku, unë dhe bashkëshorti im", shkroi ajo.

Keana theksoi se nuk i konsideron të gjithë gjyshërit njerëz të këqij dhe se blerja e gjërave për nipërit e mbesat nuk është problem në vetvete.

"Por në situatën tonë është problem! Jemi të kënaqur me jetën dhe familjen tonë dhe nuk pres që të gjithë ta kuptoni këtë", përfundoi ajo. /Telegrafi/