Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka ngritur shqetësimin për rrezikun e radikalizimit dhe aktivitetin e shërbimeve të huaja në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Karamuço u ndal te roli i Athinës si një prej qendrave të rëndësishme të shërbimeve sekrete në rajonin e Mesdheut, duke folur edhe për bashkëpunimin ushtarak mes Greqisë dhe Izraelit.
Sipas tij, në Greqi është rritur prania e profesionistëve dhe biznesmenëve izraelitë, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve është shtrirë edhe në industrinë e mbrojtjes.
Eksperti foli gjithashtu për rrezikun që, sipas tij, paraqesin grupet e radikalizuara dhe ekstremiste, duke përmendur si faktorë shqetësues zhvillimet politike dhe fetare në rajon, si dhe ndikimin e tyre të mundshëm në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.
Ai solli në vëmendje edhe zhvillimet e vitit 2018 në Shqipëri, kur autoritetet antiterror dyshuan për një plan sulmi gjatë festimeve të Sulltan Novruzit.
“Athina është një nga qendrat kryesore të shërbimeve sekrete në Mesdhe. Evropa qendrore ka Vjenën, e dyta vjen Athina. Sigurisht ka një përqendrim të madh të inxhinierë, mjekë, biznesmenë që kanë ardhur nga Izraeli…ka një bashkëpunim edhe në fushën ushtarake, së fundmi Greqia bëri një blerje të jashtëzakonshme të industrisë së mbrojtjes Izraelite dhe është në fazat përfundimtare. Kjo nuk i intereson Iranit, por ka një treg, janë shtuar në numër janë radikalizuar…disa janë politik që janë deri në limite të antifës , të tjerë islamik. Ne i kemi mbajtur nën kontroll nëpërmjet financimit. Kemi pasur diskurs në fillimet e protestave. Duhet të zhvillohej protesta që të njiheshin…Dolën në sfond në mënyrë të menjëhershme, por këta ishin. Lufta e brendshme politike që po vijon në Egjipt në lidhje me vëllazërinë myslimane dhe çfarë kanë eksportuar këto. Rrezik për terrorizmin në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në 2018 ne e kishim këtu, ku u sollën dy personazhe që u shfaqën si gazetarë erdhën nëpërmjet krimit të organizuar turk dhe një personazhi të krimit shqiptar që nuk jeton më sot është vrarë. Dhe i çoi në kryegjyshatë dhe u kap nga antiterrori do të sulmonin në ditën e sulltan Novruzit. Këtë bëri dhe Irani me shkrimtarin në mes të New York”, tha ai.










