Princi Harry është shprehur i gatshëm të rikthehet në ushtrinë britanike për të luftuar kundër Rusisë, nëse një gjë e tillë do të ishte e nevojshme. Gjatë një vizite në qytetin Lviv, në Ukrainën perëndimore, Duka i Sussex-it deklaroi se Evropa më në fund është ndërgjegjësuar për kërcënimin që paraqet presidenti rus Vladimir Putin.
Në një intervistë Harry tha se Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia kanë qenë praktikisht në konflikt gjatë dekadës së fundit, edhe pse nuk ka pasur sulme të drejtpërdrejta me dronë, plumba apo raketa në territorin britanik.
“Vetëm sepse nuk ka dronë, plumba dhe raketa që fluturojnë drejt nesh, kjo nuk do të thotë se nuk jemi në luftë”.- tha Harry.
Duka i Sussex-it theksoi se vendet perëndimore kanë shumë për të mësuar nga qëndresa e Ukrainës përballë agresionit rus. Ai u shpreh se të gjithë ata që kanë shërbyer në ushtri duhet të jenë të përgatitur për t'u rikthyer në detyrë, nëse situata e kërkon.
“Nëse më kërkohet të regjistrohem sërish dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të jem 100% aty për t'i shërbyer vendit tim, krahas veteranëve dhe personelit ushtarak”.- u shpreh princi.
Harry ka shërbyer në dy misione ushtarake në Afganistan si pilot helikopteri Apache, gjatë viteve 2007-2008 dhe 2012-2013, ndërsa i dha fund karrierës ushtarake në vitin 2015.
Gjatë intervistës, ai komentoi edhe qëndrimin e administratës së Donald Trump ndaj luftës në Ukrainë, duke vënë në dukje dallimin mes mbështetjes së lartë që shoqëria amerikane ka për Kievin dhe qasjes së administratës amerikane. Harry shprehu shpresën që Evropa të vijojë të mbajë një qëndrim të bashkuar dhe të ketë më shumë mbështetje nga SHBA-ja.
Sa i përket zhvillimeve në front, princi tha se, bazuar në vizitat e tij në Ukrainë dhe komunikimet me përfaqësues politikë e ushtarakë, beson se Ukraina po fiton luftën. Ai kërkoi gjithashtu që mbështetja për Kievin të dyfishohet dhe kritikoi sulmet ndaj infrastrukturës civile, spitaleve dhe qendrave të ndihmës humanitare.








Komente
Komento