Gazetari Artan Hoxha ka ngritur akuza për dhunë ndaj të rinjve të shoqëruar gjatë protestave, duke deklaruar se në rastin e një prej tyre, situata është përshkallëzuar deri në kërcënime në ambientet e spitalit.
I ftuar në “Prime News24”, Hoxha u ndal te rasti i të riut Enea, i cili sipas tij u dhunua në komisariat dhe më pas përfundoi në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gazetari pretendoi se efektivët që e kishin dhunuar e kanë vizituar edhe në spital, ku i kanë kërkuar të ndryshojë deklarimet e bëra në denoncimin e tij.
Sipas Hoxhës, rasti u kthye në problem për Policinë pasi u bë publik, ndërsa ai pretendon se dhuna ndaj protestuesve është përdorur si mënyrë për t’i frikësuar dhe për t’i dekurajuar që të marrin pjesë në tubimet e ardhshme.
Gazetari kërkoi gjithashtu që rasti të ndiqet nga Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), duke vënë theksin te dokumentimi mjekësor i dëmtimeve dhe verifikimi i përgjegjësive të efektivëve të përfshirë.
Hoxha ngriti pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si po trajtohen raste të tilla nga strukturat përgjegjëse, duke kërkuar që dokumentacioni spitalor të pasqyrojë saktë dëmtimet e pësuara nga i riu.














