Dëmet në “urën e Putinit” mund të bllokojnë furnizimet ruse për Krimenë

18 Nëntor 2026 | 21:47

Është një kryevepër inxhinierike në vlerë prej 4 miliardë dollarësh, që shtrihet përgjatë 19 kilometrave mbi ujërat e Detit të Zi dhe që forcon kontrollin e Moskës mbi Krimenë, gadishullin ukrainas që Rusia e okupoi në vitin 2014.

Tani, më shumë se 200 metra të Urës së Krimesë janë shkatërruar dhe kanë përfunduar në ujë, në një thellësi prej nëntë metrash, duke lënë pas një grumbull rrënojash prej asfalti dhe çeliku që kanë bllokuar kanalin e lundrimit të Ngushticës së Kërçit dhe i kanë dhënë goditje përpjekjeve të Rusisë për ta mbajtur Krimenë nën okupim dhe funksionale.

Sulmi me raketa dhe dronë nuk përbën herën e parë që Ukraina ka shënjestruar këtë strukturë gjatë lutës në shkallë të plotë të nisur nga Rusia, e cila në muajin shkurt do të hyjë në vitin e pestë.

Gjatë sulmit të fundit u shkatërrua vetëm pjesa rrugore e urës, ndërsa qarkullimi hekurudhor ka rifilluar, megjithëse nuk dihet se në çfarë mase.

Por sulmi, i cili u krye në disa valë më 16 dhe 17 nëntor, deri më tani ishte më shkatërrimtari.

“Mendoj se dëmet janë mjaft të mëdha”, tha Brian Clark, ish-oficer i marinës amerikane dhe ekspert i operacioneve detare në Institutin Hudson me seli në Uashington. “Dëmet e shkaktuara duket se mund ta kenë cenuar integritetin strukturor të urës. Dhe është krejt e mundur që kalimi nëpër të të mos jetë më i sigurt”.

“Ky sulm ndryshon nga sulmet e mëparshme, pasi ka shënjestruar një segment shumë më të madh, me kompleksitet strukturor dukshëm më të lartë”, tha Sam Rigby, profesor i inxhinierisë në Universitetin e Sheffieldit në Angli.

“Pa e hedhur të gjithën në ajër, gjë që është e pamundur, ura mund të goditet vetëm duke shënjestruar pikat e saj të dobëta… elementet lidhëse që bashkojnë të dyja anët e urës”, tha për Current Time Konstantin Kryvolap, inxhinier ukrainas i aviacionit. “Pikat ku janë të lidhura këto harqe janë pjesët më të dobëta të urës”.

“Rusia ndërtoi një mit rreth [urës], si simbol të Krimesë që do të jetë ‘përgjithmonë ruse’”, u tha në një deklaratë të komandës ushtarake të Ukrainës. “Tani, një pjesë e strukturës gjendet nën ujë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u zotua se ura do të rindërtohet “edhe më mirë se më parë”.

Kalimi tek autostrada

E përfunduar në vitin 2018, kjo urë me konstruksion metalik, e cila përfshin linjë hekurudhore dhe rrugore dhe njihet edhe si Ura e Kërçit, ishte e vetmja rrugë tokësore që mundësonte lëvizjen e njerëzve dhe furnizimeve nga territori i Rusisë në Krime, deri në pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vetë presidenti rus, Vladimir Putin, u ul në timonin e një kamioni dhe kaloi mbi urë në maj të vitit 2018, për ta përuruar atë.

Më herët, vetëm tragetet qarkullonin në këtë ngushticë detare, por kapaciteti i tyre ishte i kufizuar dhe lundrimi varej nga kushtet atmosferike. Më 18 nëntor, i gjithë trafiku i trageteve u pezullua për shkak të motit të keq, thanë autoritetet.

Një shpërthim me kamion bombë, i orkestruar nga inteligjenca ushtarake ukrainase në vitin 2022, dëmtoi pjesën rrugore të urës. Ajo u riparua plotësisht për më pak se pesë muaj. Në vitin 2025, një dron nënujor ukrainas goditi mbështetëset e urës që gjendeshin në nivelin e ujit, por dëmet strukturore ishin të vogla.

Pas pushtimit të Mariupolit – ku gjendej porti më i madh ukrainas në Detin Azov – në pranverën e vitit 2022, forcat ruse konsoliduan kontrollin mbi vijën bregdetare të Ukrainës. Autostrada M-14 u bë një tjetër rrugë e rëndësishme furnizimi, drejtpërdrejt nga vetë Rusia.

Por, që nga fillimi i këtij viti, forcat ukrainase kanë intensifikuar të ashtuquajturën fushatë të sulmeve me dronë me rreze të mesme, duke lëshuar dronë kundër kamionëve të mallrave që qarkullojnë në rrugën bregdetare, si dhe kundër një pjese të trafikut hekurudhor.

Kjo e ka bërë Urën e Krimesë edhe më të domosdoshme për të siguruar furnizimin me ushqime dhe energji elektrike për dy milionë banorët e gadishullit, pa përmendur këtu edhe qindra mijëra pjesëtarë të personelit ushtarak, të cilët duhet të pajisen me armë dhe furnizime për sulmet ndaj Ukrainës.

Tani, për një të ardhme afatgjatë dhe të paparashikueshme, vetëm trenat do të transportojnë njerëz dhe mallra drejt dhe nga gadishulli i Krimesë.

Komandantët ushtarakë rusë tani do të detyrohen të mbështeten edhe në një rrugë tokësore – autostradën bregdetare M-14 – e cila është e ekspozuar ndaj dronëve ukrainas, tha David Gendelman, ekspert ushtarak izraelit.

Për më tepër, ai tha se autostrada mund të përballojë vetëm një sasi të kufizuar trafiku, si civil ashtu edhe ushtarak.

“Nëse trafiku zhvendoset atje, para së gjithash, kjo do të ngadalësojë dhe vështirësojë logjistikën ushtarake, përfshirë edhe atë pjesë të transportit që veçse po kalonte përmes korridoreve tokësore dhe jo përmes Urës së Krimesë. Gjithsesi, nga këndvështrimi i logjistikës ushtarake, ky sulm ndaj Urës së Krimesë e vështirëson furnizimin e të gjithë grupimit ushtarak në jug”, tha ai.

Duke i shtuar edhe më shumë telashe rrugës tokësore, forcat ukrainase thuhet se më 17 nëntor dëmtuan një tjetër urë të rëndësishme, e cila siguron një lidhje të drejtpërdrejtë rrugore mes Krimesë dhe Rostov-on-Donit, përmes portit të Taganrogut. Ky qytet është një pikë e rëndësishme e grumbullimit të forcave ushtarake pranë kufirit ukrainas.

“Do të nevojiten punime shumë të mëdha inxhinierike”

Skenari më optimist për riparimin e pjesës rrugore të urës është që punimet të zgjasin rreth një vit, thanë për Radion Evropa e Lirë inxhinierë të infrastrukturës.

“Do të nevojitet një punë e madhe inxhinierike”, tha Kryvolap. “Nuk besoj se kjo mund të bëhet për më pak se gjashtë muaj dhe ka shumë gjasa që të zgjasë më shumë se një vit”.

“Segmenti i ri i urës do të duhet të montohet në bregun e Detit Azov, pastaj të transportohet mbi ujë deri në vendin e caktuar dhe të vendoset në pozicionin e tij”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, David MacKenzie, drejtor i lartë teknik në kompaninë britanike të konsulencës inxhinierike COWI. “Kjo për shkak se ura rrugore ndodhet brenda urës hekurudhore, e cila pengon transportimin e një segmenti të tërë nga Deti i Zi”.

E gjithë vija bregdetare e Detit Azov ndodhet në një distancë prej më pak se 300 kilometrash nga territoret që janë nën kontrollin e Ukrainës. Kjo nënkupton se çdo projekt për ndërtimin e harqeve të urës, që do të zgjaste me muaj, do të ishte një objektiv relativisht i lehtë për dronët dhe raketat ukrainase.

MacKenzie tha se rrënojat e urës, të cilat aktualisht pengojnë trafikun detar në Ngushticën e Kërçit, mund të largohen brenda një ose dy javësh, me kusht që vinçat detarë dhe pajisjet për gërmim të mos pengohen nga moti i keq ose kërcënimet ukrainase. Megjithatë, Kremlini do të duhet të zgjedhë nëse fillimisht do të rikthejë qarkullimin detar apo atë rrugor.

“Nuk do të ishte e mundur të sigurohej qarkullim i përkohshëm rrugor mbi urë dhe në të njëjtën kohë, të mbahej i hapur qarkullimi detar”, tha ai.

Mike Petersen, ish-këshilltar i lartë i marinës amerikane dhe ekspert për ushtrinë ruse në Qendrën për Analiza Detare, institut në Uashington, tha se është e vështirë të përcaktohet se sa kohë do të nevojitet për rihapjen e rrugës ujore.

“Ukraina mund ta pengojë çdo përpjekje për pastrimin e kanalit dhe kjo mund ta zgjasë mbylljen pothuajse pafundësisht”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. Duke përmendur një shembull, ai tha se autoriteteve amerikane iu deshën 76 ditë për të pastruar një kanal në vitin 2024, pas shembjes së urës Francis Scott Key në Baltimor.

“Gjeografia, hidrografia dhe kushtet klimatike janë të gjitha pengesa për një operacion të shpejtë të largimit të rrënojave, pa përmendur faktin se vetë ky operacion ka të ngjarë të pengohet nga sulmet”, tha ai.

Sa i përket trafikut të përgjithshëm detar përmes pik Ngushticës së Kërçit, ndikimi do të jetë gjithsesi i kufizuar. Rusia tashmë e ka ridrejtuar një pjesë të madhe të tij drejt Detit Baltik ose Oqeanit Paqësor, për shkak të intensifikimit të sulmeve ukrainase ndaj anijeve dhe porteve, tha Petersen.

“Një nga efektet më të mëdha ekonomike të kësaj lufte ka qenë zhvendosja masive e eksporteve ruse nga terminalet perëndimore dhe jugore drejt Lindjes së Largët ruse, duke e bërë rajonin e Azi-Paqësorit shumë më të rëndësishëm për interesat ekonomike të Rusisë”, theksoi ai.

Në Krime kishte raportime për panik dhe blerje masive në disa dyqane ushqimore dhe për radhë makinash para pikave të karburanteve. Gadishulli u përball me mungesa serioze të ushqimit dhe karburantit gjatë sezonit turistik veror. Për shkak të mungesave, autoritetet lokale vendosën një sistem me kuponë për shpërndarjen e benzinës.

“Çfarë është i gjithë ky panik, dreqi e marrtë? Ma shpjegoni, ju lutem”, tha një grua, e cila u prezantua si Vlada Ilyinichna, në një video të publikuar në Instagram. “Dreqi e marrtë, ka radhë në pikat e karburantit. Njerëzit kanë filluar të blejnë ushqime me shumicë. Pse? Edhe nëse e hodhën urën në ajër, çfarë pastaj? Nuk është se nuk jeni mësuar me gjëra të tilla, apo jo?”.

Një grua tjetër, emri i së cilës u tha se ishte Viktoria Baturinakazbanova, megjithatë, i minimizoi gjasat për blerje masive. Ajo tha se kishte radhë në disa pika karburanti, por “asgjë nuk është kritike”.

“Çdo gjë është në rregull”, tha ajo në një video në Instagram. “Çmimet e ushqimeve nuk kanë ndryshuar. Të gjithë janë të qetë, gjithçka është absolutisht në rregull. Dhe të gjithë janë të bindur se segmenti i ri i urës do të jetë më i bukur dhe më i fortë se i vjetri”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dyshimet për vdekjen e Epstein, vëllai i tij publikon fotot e autopsisë dhe kërkon hetim për vrasje

Vëllai i miliarderit të dënuar për abuzim seksual me të mitur, Jeffrey Epstein, ka publikuar një seri fotografish nga autopsia e tij, duke kërkuar gjithashtu...
21:33 | 18/11/2026

Tensione në Gjirin Persik, Irani godet bazën amerikane në Kuvajt pas sulmeve të SHBA-së në ishullin Qeshm

Irani tha se shënjestroi vendet e dronëve dhe raketave amerikane në Kuvajt gjatë natës, pasi Shtetet e Bashkuara goditën ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit,...
20:18 | 18/11/2026

Princi Harry: Nëse është e nevojshme të luftoj Rusinë, jam 100% gati të kthehem në ushtri

Princi Harry ka deklaruar se është 100% gati të ribashkohet me ushtrinë nëse asaj i duhet të luftojë Rusinë, duke paralajmëruar se të gjithë duhet...
20:10 | 18/11/2026