Deputeti i Partisë Socialiste, Arbjan Mazniku thotë se projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 150 milionë euro në dispozicion të qytetarëve përmes lehtësimit të taksave dhe skemave të mbështetjes sociale. “Kush shpenzon pjesën më të madhe të të ardhurave për ushqime, familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të përfitojnë më shumë nga kjo masë. Fëmijët me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre. Mbështetja dyfishohet dhe shteti mbulon kontributet shoqërore për kujdestarët. Fondi për Ndihmën Ekonomike dhe Aftësinë e Kufizuar arrin në 27,2 miliardë lekë dhe rritet me 7,4% më shumë se vjet”, deklaroi Mazniku.
Ai u ndal te mbështetja për familjet e reja dhe studentët, duke theksuar se nga 1 korriku i vitit 2027 bonusi i bebes kthehet në mbështetje të shtrirë në kohë deri kur fëmija të mbushë pesë vjeç. “Për studentët që vijnë nga familjet në nevojë, bursa rritet nga 10 mijë lekë në 25 mijë lekë dhe shtrihet edhe për ata që vazhdojnë studimet master. Çiftet e reja që kanë nevojë për strehim, 10 mijë familje përfitojnë nga politika e re e strehimit, 1 mijë me kredi të lehtësuara, 2 mijë me subvencion qiraje dhe 7 mijë me masat e tjera që parashikon ligji i strehimit”, u shpreh ai.
Për sa i përket masave fiskale, Mazniku deklaroi se pragu i sipërm i tatimit ngrihet nga vlera 2 milionë lekë, në vlerën 3 milionë lekë, duke shtuar 32 mijë tatimpagues që bëhen përfitues të kësaj mase. Mazniku u ndal edhe tek investimet e parashikuara për qarkun e Elbasanit.
“Ky buxhet e mbështet qarkun e Elbasanit në mënyrë të konsiderueshme. Shtatë bashkitë e këtij qarku marrin 5,13 miliardë lekë transferta shtetërore. Lista e investimeve ka 36 projekte në territorin e qarkut me vlerë 6,77 miliardë lekë, nga të cilat 2,16 miliardë lekë vetëm në vitin 2027”, deklaroi ai. Mazniku u ndal te fondet për infrastrukturën rrugore, ku për të gjitha akset e këtij qarku parashikohen mbi 8 miliardë lekë në vitin 2027.
“Elbasan-Qafë Thanë merr 2,7 miliardë lekë, një aks i rëndësishëm për qarkun dhe për gjithë Shqipërinë. Ura e Grykshit-Peqin, krahu lindor, merr 2 miliardë lekë. Lidhja Tiranë-Elbasan me Korridorin VIII merr 1,4 miliardë lekë”, u shpreh Mazniku. Ai renditi edhe investimet në shtatë bashkitë e qarkut, duke përmendur rikonstruksionin e shkollave, përmirësimin e rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërhyrjet në spitalet rajonale, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, rehabilitimin e kanaleve vaditëse dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
