Kryeministri Edi Rama ka vizituar Agjencinë për Media dhe Informim, ku u njoh me punën e platformës “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës qytetarët paraqesin ankesat dhe shqetësimet e tyre pranë institucioneve shtetërore.
Gjatë vizitës, Rama e cilësoi frekuentimin e platformës si “mbresëlënës”, ndërsa drejtuesit e agjencisë i prezantuan mënyrën se si trajtohen kërkesat dhe ndiqen rastet e raportuara nga qytetarët.
Drejtoresha e MIA-s, Manjola Hasa, e njohu kryeministrin me procesin e adresimit të ankesave, ndërsa drejtoresha e Informimit të Medias, Elona Sinaj, tha se numri i rasteve po rritet nga dita në ditë.
“Ka një interes shumë të madh për platformën. Ne i trajtojmë, u japim një përgjigje të parë atyre, pastaj i përcjellim tek institucionet përkatëse. Po jo vetëm i përcjellim, edhe nuk i lëmë rehat institucionet. Domethënë vazhdimisht kërkojmë”, u shpreh Sinaj.
Sipas saj, rreth 70% e rasteve që lidhen me fushën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale janë trajtuar me përparësi dhe kanë marrë përgjigje.
Platforma funksionon gjatë 24 orëve, me një skuadër të dedikuar që përcjell kërkesat e qytetarëve tek institucionet përgjegjëse dhe ndjek ecurinë e tyre deri në marrjen e një përgjigjeje.

