Shorti i Nations League, 24 kombëtare në pritje të rivalëve, ja vazot dhe rregullat Trajneri italian është ndëshkuar nga drejtësia sportive pas incidentit në ndeshjen Salernitana-Bari, të luajtur më 4 tetor. Fyerja me përmbajtje raciste iu drejtua sulmuesit kroat Karlo Butic, ndërsa Cosmi deklaron se e pranon vendimin, por nuk është dakord me të.
Serse Cosmi është ndëshkuar rëndë nga drejtësia sportive italiane. Trajneri ka marrë një pezullim prej tre muajsh, si dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, pas një episodi të ndodhur gjatë ndeshjes Salernitana-Bari, më 4 tetor. Sipas vendimit të gjyqtarit sportiv të Lega Pro, Cosmi ka përdorur një fyerje me përmbajtje raciste ndaj sulmuesit kroat të Barit, Karlo Butic. Edhe pse aventura e tij në stolin e Salernitana-s ka përfunduar tashmë, ky dënim do ta pengojë teknikun të rikthehet menjëherë në aktivitetin e tij si trajner në një klub tjetër.
Si ndodhi incidenti?
Ngjarja ndodhi në pjesën e parë të takimit, të cilin Salernitana e fitoi 2-1 pas përmbysjes së rezultatit. Bari kishte kaluar në avantazh me një penallti të kthyer në gol nga Butic. Sulmuesi kroat festoi përpara Curva Sud, sektorit ku qëndrojnë tifozët më të zjarrtë të Salernitana-s. Ky gjest nuk u prit mirë nga Cosmi. Në përfundim të pjesës së parë, teksa futbollistët po largoheshin drejt dhomave të zhveshjes, trajneri iu afrua Butic dhe, sipas rindërtimit të pranuar nga drejtësia sportive, i tha: “Je cigan”. Futbollisti u përpoq t’i shpjegonte se festimi i tij ishte një dedikim për partneren shtatzënë, por përgjigjja e Cosmit ishte: “Çfarë më intereson mua për të dashurën tënde?”
Pas shqyrtimit të episodit, drejtësia sportive vendosi ta ndëshkojë trajnerin me tre muaj pezullim dhe 10 mijë euro gjobë. Cosmi ka deklaruar se e pranon vendimin, por nuk është dakord me të.
Top Channel