Skoci/ Policia kërkon ndalimin e shitjes së biçikletave dhe skuterëve elektrikë, alarm për rritjen e rasteve kriminale dhe aksidenteve

18/11/2026 22:52

Oficerët e lartë të Policisë në Skoci kanë kërkuar kufizimin ose ndalimin e shitjes së biçikletave dhe skuterëve elektrikë, pas rritjes së ndjeshme të rasteve të përdorimit të tyre në aktivitete kriminale dhe sjellje antisociale.

Policia e Skocisë ka sekuestruar 1,204 mjete të paligjshme gjatë periudhës janar-tetor 2026, nga 727 të tilla në të njëjtën periudhë të vitit të kalua, raporton Daily Mail.

Ndërkohë, edhe numri i incidenteve ku janë përfshirë biçikletat dhe skuterët elektrikë ka shënuar rritje të konsiderueshme. Nga 1,689 raste në vitin 2025, këtë vit shifra ka arritur në 3,208. Po ashtu, numri i veprave penale dhe shkeljeve të raportuara është rritur nga 1,730 në 3,367.

Zëvendësshefi i Policisë, Alan Waddell, deklaroi para komisionit se vetëm sekuestrimi i mjeteve nuk mjafton për të frenuar fenomenin, për sa kohë ato vazhdojnë të jenë lehtësisht të disponueshme në treg.

Edhe kryeinspektori Scott McCarren theksoi se personat të cilëve u sekuestrohen mjetet mund të blejnë lehtësisht të tjera që të nesërmen, duke e cilësuar rregullimin e tregut si një çështje që kërkon vëmendje.

Në muajin shtator, Policia e Skocisë vendosi gjithashtu që mjetet e sekuestruara të shkatërrohen, pasi më parë disa prej tyre nxirreshin në ankand dhe mund të riktheheshin në qarkullim.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga autoritetet lidhet me përdorimin e maskave dhe mbulimin e fytyrës nga drejtuesit e këtyre mjeteve. Waddell tha se ka ardhur koha të shqyrtohen kompetencat e policisë për heqjen e tyre, ndërsa pranoi se një ndalim i përgjithshëm mund të ngrejë çështje që lidhen me të drejtat e njeriut.

Nga ana e saj, ministrja skoceze për sigurinë në komunitet, Kirsten Oswald, kërkoi shtimin e kompetencave të policisë për sekuestrimin dhe mbajtjen e biçikletave e skuterëve elektrikë që përdoren për veprimtari kriminale ose sjellje antisociale.

Top Channel