Pas denoncimit publik të një të riu, i cili pretendoi se ishte dhunuar dhe kërcënuar nga efektivë të Policisë brenda Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, Policia i ka cilësuar të pavërteta pretendimet për ushtrim dhune në ambientet e komisariatit, duke dhënë versionin e saj mbi shoqërimin dhe procedimin e të riut.

Sipas Policisë, ai ka deklaruar në procesverbal se nuk kishte pretendime për veprimet e efektivëve, ndërsa një ditë më pas është paraqitur në spital me dëmtime në syrin e majtë, duke pretenduar se ishte dhunuar nga persona të panjohur pranë ish-Hotel Dajtit. Policia thekson se i riu nuk ka pranuar të bëjë kallëzim.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:

Në lidhje me pretendimet e shtetasit E. Gj. për ushtrim dhune ndaj tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe në zyrën e shefit të Komisariatit, sqarojmë opinionin publik se këto pretendime nuk janë të vërteta.

Shtetasi E. Gj. është shoqëruar mbrëmjen e datës 17.11.2026 në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë së rendit publik”.

Në momentin e largimit nga ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, shtetasi E. Gj. ka nënshkruar procesverbalin e veprimeve të kryera nga punonjësi i Policisë me personin e ndaluar përkohësisht, në të cilin ka deklaruar se nuk kishte pretendime në lidhje me veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë.

Njëkohësisht, bëjmë me dije se shtetasi E. Gj. nuk është thirrur dhe as shoqëruar në asnjë moment në zyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se, më datë 18.11.2026, rreth orës 15:05, ky shtetas është paraqitur në spital me dëmtime në pjesën e syrit të majtë. Në momentin kur është pyetur nga punonjësit e Policisë të planizuar me shërbim pranë spitalit, ai u ka bërë me dije se, më datë 17.11.2026, rreth orës 21:30, pranë ish-Hotel Dajtit, është ndaluar dhe dhunuar nga disa shtetas që nuk i njeh. Gjatë pyetjeve të bëra nga Patrulla e Përgjithshme ka qenë i pranishëm edhe një avokat. Sqarojmë gjithashtu se ky shtetas nuk ka pranuar të bëjë kallëzim. Për këtë rast është njoftuar edhe salla operative e DVP Tiranë.