“Të duam”, Trump përqafon bashkëshorten e ish-diktatorit të Filipineve, takimi pas më shumë se 40 vitesh njohjeje

18/11/2026 22:54

Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një takim të veçantë në Manila me 97-vjeçaren Imelda Marcos, ish-zonjën e parë të Filipineve dhe bashkëshorten e ish-diktatorit Ferdinand Marcos.

Gjatë takimit, Trump e përshëndeti atë me fjalët “Të duam”, duke rikthyer në vëmendje njohjen e tyre që daton prej më shumë se katër dekadash.

Takimi u zhvillua në pallatin presidencial Malacañang, ku kreu i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi gjithashtu bisedime me djalin e saj, presidentin aktual të Filipineve, Ferdinand Marcos Jr.

Trump dhe familja Marcos njihen që prej viteve 1980, kur presidenti amerikan ishte i angazhuar në biznesin e pasurive të paluajtshme në New York.

Imelda Marcos është e veja e Ferdinand Marcos Sr., i cili drejtoi Filipinet për shumë vite, deri në rrëzimin nga pushteti në vitin 1986, pas një kryengritjeje popullore që i dha fund regjimit të tij.

Familja Marcos është rikthyer tashmë në krye të vendit përmes djalit të tyre, Ferdinand Marcos Jr., i cili mban aktualisht postin e presidentit.

Vizita e Trump në Manila është shoqëruar edhe me protesta. Qindra demonstrues kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, ku kanë djegur flamuj amerikanë dhe kanë brohoritur kundër presidentit të SHBA-së.

Protestuesit u mblodhën pranë pallatit presidencial, duke kundërshtuar takimin mes Trump dhe presidentit filipinas, ndërsa akuzuan Uashingtonin për shfrytëzimin e vendit të tyre. Protesta lidhet me kundërshtimet e vazhdueshme ndaj ndikimit politik dhe ushtarak amerikan në Filipine.

Top Channel